Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se sot në Pallatin Elysee në Paris, bashkë me kryeministrin Albin Kurti, e kanë takuar presidentin francez, Emmanuel Macron me të të cilin kanë diskutuar për dinamizimin e dialogut me Serbinë dhe zhvillimet e fundit.
Osmani ka thënë se bashkë me Kurtin kanë shprehur përkshtimin e institucioneve të Kosovës për procesin e dialogut.
“Në Pallatin Élysée, bashkë me Kryeministrin Kurti, u pritëm nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron për të diskutuar partneritetin në mes të dy shteteve tona, dinamizimin e dialogut me Serbinë, si dhe zhvillimet e fundit në vendin tonë. Shprehëm përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës për procesin e dialogut, të bazuar në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues, integritetit territorial dhe funksionalitetit të Kosovës, të cilat janë të paprekshme”, ka shkruar ajo.
Osmani ka thënë se në takim me Macronin janë diskutuar edhe veprimet destabilizuse të Serbisë. Ajo ka thënë se presidenti Macron ka dhënë përkrahjen e tij për paqë, siguri dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.