I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkan Gabriel Escobar pritet të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin javën që vjen.
Nga BE-ja kanë konfirmuar se përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak dhe dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, do të qëndrojnë të hënë dhe të martën në Prishtinë dhe Serbi, ku do të angazhohen për de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës.
Përfaqësuesi i BE-së dhe ai i ShBA-ve, të hënën do të jenë në Kosovë, ndërsa të martën në Serbi.
Thirrje për shtensionim të situatës palëve u kanë bërë sot edhe SHBA-ja dhe BE-ja.
Zëvendës Këshilltari kryesor për Siguri Kombëtare në SHBA, Jon Finer ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Finer nënvizoi shqetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa që synojnë de-përshkallëzimin e situatës.
Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave që t’i kryejnë detyrat e tyre nga lokacionet alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale.
“Ai gjithashtu përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të punuar në kushte për zgjedhje të reja. Z. Finer përsëriti se Shtetet e Bashkuara presin që të dyja palët të ri angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e normalizimit të arritur në Bruksel dhe Ohër në fillim të këtij viti”, thuhet në komunikatën e Shtëpisë së Bardhë.
Dy ditët e fundit si kryeministri Kurti, ashtu edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kanë shprehur vullnetin për zgjedhjet e reja.
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian ka kërkuar që Kosova t’i pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës, dhe që kryetarët e zgjedhur shqiptarë të kryejnë funksionin e tyre nga objektet alternative.
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat, dhe ato të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në to”.
Në një deklaratë të Bashkimit Evropian, të lëshuar nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, është dënuar dhuna që ka ndodhur në veri ditë më parë, dhe që Kosova të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet.