Prej vitit 2016, Instituti Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin (IFIMES), me seli në Lublanë, e ka bërë mysafir nderi Albin Kurtin. Atij i ka bërë muhabet dhe ia ka shtrirë shiltet për ligjërata ku hidhen herë pas here kritika kundër Perëndimit. Prej 2019-s, IFIMES-i ia ka mbajtur aktivisht anën Vetëvendosjes, ashtu siç bëri edhe para disa ditësh me analizat në mbështetje të Lukashenkos në Bellarusi dhe Kurtit në Kosovë. Me lidhje të konfirmuara me Moskën e shërbimet e atjeshme të sigurisë, me lidhje intime edhe me Vuçiqin, Instituti kundërthënës slloven shquhet për analiza të porositura, keqinformime e anime ndaj politikanëve të caktuar në Ballkan – në Mal të Zi, Dritan Abazoviqin e ka ngritur në qiell, Milo Gjukanoviqin e ka denigruar; në Kosovë, Albin Kurtin e ka lartësuar, Thaçin dhe politikanët me prejardhje nga lufta i ka përbaltur; në Shqipëri e ka simpatizuar Ilir Metën dhe e ka negativizuar Ramën, kurse mbi të gjithë e ka glorifikuar Aleksandër Vuçiqin dhe Serbinë. Derisa në Mal të Zi, Kroaci e Bosnjë roli i IFIMES-it kritikohet dhe shihet si pjesë e luftës hibride, në Kosovë, partia në pushtet, shërbehet me ‘analizat’ e tij dhe mban kontakte të shumëfishta me Martin Berishajn dhe Zijad Bećirovićin.
Col Mehmeti
Për afro një dekadë, Instituti Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin, IFIMES, ka ofruar analiza të dyshimta mbi zhvillimet e brendshme politike në shtetet e rajonit.
Instituti me seli në Lublanë të Sllovenisë i ka portretizuar me brushë negative ish-presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarin Kadri Veseli, dy partitë e dala nga lufta, PDK dhe AAK, si dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Njashtu, cak tjetër i IFIMES-it kanë qenë politikanë të ndryshëm në Kroaci. Me logon e po të njëjtit Institut ka pasur vijimisht analiza që e kanë portretuar në dritën më pozitive të mundshme presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, duke e cilësuar politikën e tij si faktor stabiliteti në Ballkan.
Prej 2016-s, IFIMES-i i ka bërë konak kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të cilit i ka mundësuar mbajtjen e ligjëratave për Kosovën dhe çështje rajonale. Dy herë me radhë, dhe atë në prag të zgjedhjeve më 2019 dhe 2025, ky Institut e ka ngritur në qiell Lëvizjen Vetëvendosje në kurriz të partive kundërshtare.
Gjatë viteve të fundit, si pasojë e raportimeve skandaloze, plot anëtarë kroatë të bordit të Institutit kanë dhënë dorëheqje, mes të cilëve edhe Stipe Mesić, Budimir Lončar dhe Jadranka Kosor. Në listën e të dorëhequrve është edhe ish-bashkëpuëntori e analisti politik boshnjak, Muhamed Borogovac.
Ky i fundit ka fshikulluar me akuza të rënda në adresë të Institutit të drejtuar nga kurdi Bakhtyar Aljaf dhe boshnjaku Zijad Bećirović—sipas Borogovacit, plot agjentë serbë janë infiltruar në IFIMES.
Këto akuza nuk kanë mbetur fjalë në erë, meqë në mediat gjermane Instituti slloven, më saktë anëtari i saj, Anis Bajrektarević, është përmendur se mban lidhje të ngushta me shërbimet e fshehta ruse.
Pas Kurtit, IFIMES-i i ka hapur dyert edhe për ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe ish-kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Zhvatës parash, Martin Berishaj dora e pistë e IFIMES-it
I themeluar më 2002, IFIMES (shkurtesë për Mednarodni Inštitut za Bližnjevzhodne in Balkanske študije) pretendon se kryen analiza politike, ekonomike e sociale, dhe se ka status konsultativ në Këshillin Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara (ESOSOC) që prej 2018-s.
Ana financiare qëllon të jetë pika më shumëpërfolur e tij, edhe pse zyrtarisht IFIMES-i pretendon se financohet nga anëtarësia, nga shërbimet trajnuese që i organizon, fushatat fondmbledhëse apo donacionet dhe grantet prej burimeve të brendshme.
Vetëm në Slloveni, emri i Institutit ka figuruar në disa skandale sa i përket financimit. Drejtuesit e tij shquhen për mënyrat e tyre për të mjelë financime në këmbim të shërbimeve me analiza të porositura.
Vetëm në harkun kohor 2011-2016, IFIMES i është ofruar komunës së Koperit me gjashtë analiza të porositura për të cilat është paguar 69,132 euro.
Thuajse rregullisht prapa financimeve të Institutit qëndron edhe kompania sllovene për furnizim me energji elektrike, GEN-I. Lidhja mes tyre është e ndërsjellë ku Instituti përmes lidhjeve të tij me politikanë në rajon sheshon rrugën që kompania sllovene të kontraktohet për punë të ndryshme.
Shembulli më domëthënës i kësaj ishte më 2019 kur drejtuesi i IFIMES-it, Zijad Bečirović, bëri çmos që, përmes njohjeve të tij në politikën e Maqedonisë së Veriut, GEN-I të fitonte të drejtën për të ndërtuar një central diellor në Amzabegovë të komunës së Sveti Nikollës.
Nga ky pazar, Zijad Bečirovići dhe Bakhtyar Aljafi ishin shpërblyer me pozitën e këshilltarëve pranë ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Një rast tjetër kur GEN-I slloven i rrasi hundët edhe në Kosovë është kur kompania sllovene ‘Valicon’ u regjistrua në Kosovë në vjeshtën e vitit 2023, duke u paguar plot 33 mijë euro për sondazhe e matje opinionesh që e kanë favorizuar në vijimësi Lëvizjen Vetëvendosje.
Si nyje lidhëse në këto kusuritje del të jetë ambasadori Martin Berishaj, i cili vazhdon të mbetet si një nga njerëzit e rrethit të ngushtë të kryeministrit Kurti.
I quajtur prej Kurtit si “patriot Malësie dhe profesor i shkëlqyeshëm”, ambasadori i Kosovës në Zagreb, në cilësinë e drejtorit dhe aksionarit në “MB Consulting”, ishte përfshirë në transaksione të dyshimta parash (së paku 1.5 milion euro) me filialin e GEN-IT në Beograd.
Përkrahje për Kurtin
Siç ka kronikuar të hënën ‘Nacionale’ në një artikull të gjatë, IFIMES-i ka afishuar dy analiza përmes të cilave ka shprehur mbështetje për dy udhëheqës politikë në Evropë.
Tre ditë para zgjedhjeve të kurdisura presidenciale në Bellarusi, Instituti slloven ka publikuar një analizë që e ka ngritur në qiell diktatorin 70-vjeçar, Aleksandr Lukashenko, të cilin, përkundër të gjithë raporteve të BE-së, e ka vlerësuar për gjoja arritjen e “rezultateve të mahnitshme ekonomike”.
Analiza e radhës e IFIMES-itkushtuar zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, e afishuar të premten e javës së kaluar, e ka shpallur si favorite partinë e Albin Kurtit e cila “nuk mund të tejkalohet nga LDK apo PDK”.
Këtë bast Instituti nga Lublana e ka vënë duke u mbështetur pikërisht në matjen kundërthënëse të kompanisë sllovene ‘Valicon’.
Por, përqindjet jorealiste nuk kanë qenë i vetmi absurditet i IFIMES-it, i cili në analizë ka folur për skenarin e një gjoja destabiliteti të brendshëm që po përgatitet nga gjyqësori e prokuroria në Kosovë.
Gjithnjë sipas analizës, gjyqtarë e prokurorë po përgatisin skandale ashtu që të rrëzojnë kryeministrin Kurti (sic!).
Analiza e IFIMES-it ka vijuar më tej edhe me vënien në pah të rreziqeve për Kosovën, ku si të tilla i ka veçuar ‘bullgarizimin’ dhe ‘katolicizimin’.
Me të parin, sipas autorëve, fshihet përpjekja për krijimin e një pakice bullgare që e tejkalon në numra komunitetin serb; kurse me të dytin fshihet përpjekja për shtimin e numrit të katolikëve në Kosovë, madje edhe shumë krerë të opozitës qenkan konvertuar fshehtas në katolicizëm.
Meqë brenda analizës ka referime të tërthorta në disa ide të shprehura nga Martin Berishaj në librin e tij “Zhbërja e kufirit etnik”, ka arsye të rrokshme të besohet që ambasadori i Kosovës në Kroaci të jetë njëri nga autorët e analizës. Meqë në analizë ka vegullt elemente të tjera tekstuale të përsëritura edhe më parë nga IFIMES-i, autori tjetër mund të jetë Zijad Bečirović.
DFC: IFIMES-i ndryshoi qasjen për Vuçiqin
Në Slloveni, Kroaci, Bosnjë e Mal të Zi ka pasur vazhdimisht kritika e zhbirime gazetareske për punën e IFIMES-it — në Kosovë, përkundrazi, mediume online dhe njerëz të afiliuar me partinë në pushtet i kanë dhënë jehonë të madhe analizës së fundit të Institutit slloven.
Të marra së bashku, shqyrtimet e gjertanishme vënë në pah se puna e IFIMES-it fqinjëron me joprofesionalizëm, keqinformim e luftë hibride, kurse vetë Instituti mund të jetë i përfshirë në skema bashkëpunimi me inteligjencën serbe dhe atë ruse.
Me anë të një analizë të hollësishme, Qendra Digjitale Forenzike (DFC) në Podgoricë e ka vënë në llupë veprimtarinë e dyshimtë të IFIMES-it.
E krijuar me qëllim të luftimit të aktiviteteve keqëdashëse informative, kjo Qendër ka diktuar plot jokonsistenca në mëtimet e Institutit slloven, mbulim të njëanshëm të çështjeve të caktuara dhe ndryshim të beftë të qëndrimeve kundrejt ngjarjeve dhe politikanëve të ndryshëm.
Shqyrtimi i Qendrës malazeze kishte vënë në pah se në analizat e IFIMES-it, në harkun kohor prej 2016-s deri më 2020, “janë të dukshme dallimet në ton dhe në ndryshim të shkrimit për vende e akterë të caktuar”. Këto ndryshime kishin ardhur pasi takimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, me drejtorin e IFIMES-it, Zijad Bečirović (15 shkurt 2020).
Sipas analizës së DFC-së, gjuha e përdorur nga IFIMES-i “nuk është as e përshtatshme dhe as karakteristike për artikujt e kërkimeve akademike të Institutit, emri i të cilit sugjeron ndikim, krahas ekspertizës dhe profesionalizmit”.
Flirti me Vuçiqin
Analiza e IFIMES-it më 2020 ishte e drejtuar e tëra kundër presidentit të asokohshëm malazez, Milo Gjukanoviq, të cilin e kishte paraqitur si ‘faktor destabilizues’ për Ballkanin dhe Evropën.
Por, me 15 maj të po të njëjtit vit, IFIMES-i kishte nxjerr analizën e titulluar “Serbia 2020 – skenë e ballafaqimit të shërbimeve inteligjente”. Në të, autorët e paemër sugjeronin se bashkëpunimi Podgoricë-Zagreb-Prishtinë drejtohej kundër Aleksandër Vuçiqit, porse nuk e kishin mbështetur pretendimin me asnjë provë të vetme.
Përpara takimit në fjalë, kërkimet e IFIMES-it i kishin pasur në thumb të kritikave politikat e Vuçiqit, duke e quajtur atë si pasardhës të Millosheviqit dhe Sheshelit, kurse partinë e tij si të djathtë, konservative dhe në shumë drejtime nacionaliste.
Në këto analiza, Vuçiq fillimisht ishte konsideruar si faktor jostabiliteti në rajon, politikat destruktive të të cilit mbështeteshin në kontroll mediash, krijim krizash në vendet fqinje, politikë të jashtë skizofrenike dhe paaftësi për t’u përballur me të kaluarën.
Në të njëjtën kohë, presidenti malazez, Gjukanoviq, përcillej me vlerësime të larta si lider që synonte marrëdhënie paqësore me të gjitha bashkësitë etnike në Mal të Zi dhe faktor i shquar stabiliteti në rajon.
Pas takimit të sipërpërmendur me Vuçiqin, në shumë nga analizat e IFIMES-it Mali i Zi u mbiquajt si ‘virus i korrupsionit’, kurse Gjukanoviqi u rëndua me akuzën se po luan me kartën e manipulimit, nacionalizmit dhe fesë.
Kroaci: “Keqinformacion dhe joobjektivitet”
Me një shqyrtim edhe më zhbirues, Instituti Kërkimor për Luftë Hibride në Zagreb ka shkoqitur analizat dezinformative dhe të pasakta të IFIMES-it për ç’i përket Kroacisë.
Ky Institut, në përbërje të të cilit ka plot zyrtarë të lartë nga agjencitë e sigurisë dhe inteligjencës në Kroaci, ka vënë re se asnjë nga analizat e IFIMES-it nuk mban nënshkrimin e autorit.
“Në një mënyrë, kjo është e kuptueshme, për shkak se studiues të mirëfilltë do të turpëroheshin po të nënshkruanin pamflete të tilla përplot keqinformacion”, thuhet në analizën e bërë nga eksperti kroat i inteligjencës, Gordan Akrap, të afishuar në korrik të 2022-ës.
Aty janë vënë në pikëpyetje qëllimet e vërteta të autorëve të paemër që i bëjnë analizat e Institutit slloven.
“Analiza e afishuar nga IFIMES-i, ashtu sikurse shumica e analizave të mëparshme, përmban një varg të tërë keqinformimesh dhe gabimesh logjike e faktuale, që na bën të pyesim se cilat janë qëllimet e autorëve dhe të institucionit prapa artikujve të tillë”, thuhet në këtë shqyrtesë. “Teksti nuk është as objektiv, e as real, thelbësisht i pasaktë, që përfaqëson burime të pabesueshme të të dhënave, dhe në të njëjtën kohë është tepër ngatërrues”.
Borogovac: “Agjentët serbë u infiltruan në IFIMES”
Një analizë e thellë për IFIMES-in ishte bërë edhe nga e përditshmja malazeze Dnevne Novine në korrik të vitit 2020. Ajo kishte botuar një intervistë me ish-bashkëpunëtorin dhe analistin e IFIMES-it, Muhamed Bogorovac.
Ai kishte dhënë dorëheqje me 4 korrik të 2018-s kur IFIMES-i, me rastin e një forumi në kryeqytetin sllovan, e kishte ftuar kryetarin e Partisë Socialiste në Republikën Serbe, Petar Gjokiq. Ky i fundit kishte qenë pjesë e organizatës kriminale, të ashtuquajturës ‘Ushtri e Republikës Serbe’, e cila kishte kryer gjenocid kundrejt joserbëve në Bosnjë.
Duke folur për analizat e IFIMES-it ku denigrohej presidenti malazez, Borogovaci kishte thënë se Serbia po përdorte çdo mjet për ta sulmuar Gjukanoviqin, i cili, sipas tij, po sillej si kryetar i një shteti sovran.
“Serbia do të përpiqet ta diskreditojë zotin Gjukanoviq, dhe ta zëvendësojë atë me dikë që e sheh Serbinë si më të rëndësishme sesa Malin e Zi”, kishte thënë Bogorovac.
Analisti boshnjak, gjatë kësaj interviste, kishte thënë se interesimi serb për IFIMES-in u shtua kur kjo e fundit fitoi statusin special të konsulentës në Kombet e Bashkuara.
Sipas tij, analizat e këtij Instituti slloven u bënë gjithnjë e më të njëanshme pas nxitjes që Bećirovići mori prej presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Duke marrë si shembull analizën e IFIMES-it për zgjedhjet e tetorit 2019 në Kosovë, IFIMES-i, sipas tij, “përvetësoi tërësisht një terminologji serbe, që domethënë ‘të vërtetën’ serbe për Kosovën”, duke e paraqitur gjithçkajën në Kosovë si zi e terr, politikanët shqiptarë si kriminelë lufte, kurse Vuçiqin si shenjtor të ri serb.
Asokohe, Bogorovaci kishte reaguar duke e quajtur gjithë këtë si propagandë serbe.
“Kjo është një propagandë shqeto e primitive serbe. Ka pasur plot agjentë serbë në të gjitha kombet jugosllave dhe është e qartë tani se ata janë infiltruar edhe në IFIMES. E vërteta është krejt ndryshe: zoti Gjukanoviq është faktor stabiliteti në Ballkan, për shkak se ai është i vetmi që di si ta luftojë me mjetë paqësore ekspansionizmin serb”, kishte thënë Borogovac.
Në intervistë e sipër, analisti boshnjak kishte dhënë komente edhe për drejtuesin e IFIMES-it, Zijad Bećirović. Sipas tij, breza të tërë boshnjakësh i ishin nënstruar një asimilimi të fortë.
“Sistemi arsimor i shërbente serbizimit të fëmijëve nga kombet joserbe. Kujtoj që plot fëmijë përvetësuan kulturën dhe sistemin e vlerave serbe gjatë shkollimit në Jugosllavi”, kishte thënë Borogovac.
IFIMES-i në thumb Thaçin dhe UÇK-në, donte Albinin kryeministër
Një nga analizat më goditëse të IFIMES-it për Kosovën kishte qenë ajo e afishuar me 30 shtator 2019 me titull “Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë: qytetarët duan ndryshime politike”.
Pjesa më e madhe e analizës në fjalë përbëhej prej sulmesh ndaj UÇK-së dhe ish-komandantëve të saj, kurse peizazhin politik në Kosovë e përshkruante si të kriminalizuar.
“Çerdhja kryesore e krimit janë ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe shërbimeve (para)inteligjente (ShIK) në bashkëpunim me strukturat politike”, thuhej në këtë analizë, e cila po ashtu nuk i kishte bërë të ditur emrat e autorëve.
Në këtë analizë, IFIMES-i e kishte favorizuar Albin Kurtin si kandidat bindshëm favorit për t’u bërë kryeministër. Në tekst, Vetëvendosja paraqitej si viktimë e “një fushate të sinkronizuar sulmesh nga strukturat politiko-kriminale të Kosovës”.
“Lëvizja Vetëvendosje mund të sjellë disa ndryshime pozitive nëse e merr qeverisjen, duke kujtuar që Kosova po përballet me një pikë të rëndësishme kthese dhe ka nevojë për ndryshime në skenën politike. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qeverisur asnjëherë Kosovën”, thuhej në analizën e IFIMES-it.
Konak për Kurtin dhe qëndrimi qesh-e-ngjesh
Ndërkaq, IFIMES-i ia kishte hapur dyert Albin Kurtit ç’prej 2016-s. Me 10 mars 2016, ai kishte marrë ftesën për të mbajtur një ligjëratë në hollin ‘Grad’ të Hotelit Lev në Lublanë.
Asokohe, Instituti slloven mbante një cikël ligjëratash me temën “Ballkani Perëndimor dhe BE-ja”, kurse Kurtit i ishte dhënë mundësia që të ligjëronte me temën “Kosova në udhëkryq”.
Në arkivën e faqes së IFIMES-it ekziston ende fotografia nga kjo ligjëratë ku shihet Kurti i ulur mes drejtuesve të këtij Instituti, Zijad Bećirović dhe Bakhatyar Aljaf.
Dy vjet më vonë, më saktë më 29 janar 2018, IFIMES-i sërish e ftoi mysafirin nga Prishtina për të mbajtur një ligjëratë para audiencës sllovene.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje kishte mbajtur ligjëratën me titullin ‘10 vjetori i Pavarësisë së Kosovës: çka duhet bërë në dhjetëvjetorin e ardhshëm’.
Në llogarinë zyrtare të Kurtit në ‘Facebook’, sot e kësaj dite janë të afishuara fotografitë nga kjo ligjëratë, ku mes të tjerash ka fotoshkrepje edhe me Martin Berishajn si dhe nikoqirët e Institutit slloven.
Por, marrëdhënia mes IFIMES-it dhe Kurtit nuk del të ketë qenë gjithaq idilike. Instituti slloven, në ndonjë rast, e ka shuplakosur kryeministrin e Kosovës duke i vënë atij etiketa krahasimi me Millosheviqin – si shkas kishte marrë dërgimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës.
“Historia po e përsërit veten në Kosovë, dhe serbët e shqiptarët kanë ndërruar rolet. Në të kaluarën, regjimi i Millosheviqit kryente represion në popullatën shqiptare, por tani gjendja është përmbysur”, thuhej, mes të tjerash,në analizën e afishuar më 12 tetor 2023.
Simpati të tjera: Abazoviq dhe Meta
Albin Kurti nuk del të jetë i vetmi i përkdhelur prej IFIMES-it. Drejtuesit e këtij Instituti po kaq simpatikë janë treguar edhe ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Në janar të 2022-s gjatë një takimi në Shkup, Zijad Bećirovići e kishte ftuar Metën që ta mbante një ligjëratë në kryeqytetin slloven.
Më 20 maj të vitit të kaluar, politikani shqiptar i akuzuar për korrupsion mbajti në Lublanë një ligjëratë me temën “Sfidat e reja për Shqipërinë, rajonin, Evropën dhe botën”.
I treti politikan shqiptar i ledhatuar nga IFIMES-i është ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili në shtator të 2023-s u shpërblye me çmimin special të këtij Instituti “për kontribut të veçantë për afirmimin e komuniteteve pakicë”.