Seanca fillestare për korrupsion ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha dhe tre të tjerëve Fitim Mustafa, Gëzim Dushi dhe Ekrem Tahiri, pritet që të mbahet më 26 maj të këtij viti.
Lajmin e ka bërë të ditur zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Ajo tha se ky rast iu është ndarë gjyqtarit të Departamentit Special, Vesel Ismaili.
“Duke ju referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se lidhur me rastin e të pandehurve Dh.H, F.M, G.D dhe E.T është caktuar seanca e shqyrtimit fillestar, e cila do të mbahet me datë 26.05.2022 në ora 08:45. Rasti i është ndarë në punë gjyqtarit Vesel Ismaili, gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, tha Gashi.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) përmes aktakuzës të ngritur ndaj ish- ministres Hoxha po pretendon se e njëjta keqpërdori detyrën zyrtare si ministre, nën dyshimin se kishte përdorë kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare në vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizim të vizave, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila është ngritur më 12 maj 2022, Dhurata Hoxha ngarkohet se në cilësinë e ministres së MIE-së kishte nënshkruar kontratën për Shërbime të Informimit Publik për nevoja të MIE dhe operatorin ekonomik “PR Solution”.
Në aktakuzë thuhet se edhe pse ky aktivitet i prokurimit kishte qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizim-asocimit (MSA), e pandehura Hoxha në kundërshtim me ligjin, si ministre kishte shfrytëzuar këtë duke promovuar fushatën e saj zgjedhore si deputete në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019.
Tutje thuhet se promovimi ishte realizuar me publikimin e banerëve, videove që vinin në pah të pandehurën Hoxha, e në kundërshtim me parimet dhe kushtet e kësaj kontrate, duke i mundësuar të pandehurës përfitim të padrejtë në dëm të buxhetit të Kosovës, në shumë prej 143 mijë e 447 euro e 80 centë.