Një anije me emigrantë është mbytur sërish në brigjet greke. Autoritetet kanë nisur operacionin e kërkim-shpëtimit në ngushticën e Kafireas, mes Evias dhe Andros.
Sipas Rojes Bregdetare, njoftimi është bërë në orët e para të mëngjesit të sotëm në numrin e telefonit të urgjencës ndërkombëtare 112, ku emigrantët kanë njoftuar se janë në rrezik pa treguar vendndodhjen e saktë.
Nëntë persona afganë dhe iranianë janë shpëtuar. Mediat greke shkruajnë se në anijë kanë qenë 68 persona. Nikos Kokkalas, zëdhënësi i Rojës Bregdetare tha se ky është një operacion shumë i vështirë shpëtimi për shkak të kushteve të këqija atmosferike. Shpresat për të gjetur 59 emigrantët e tjerë janë duke u zbehur.