Një tragjedi ka tronditur shtetin fqinj, Italinë, teksa mediat vendase raportojnë se, dy vëllezër të mitur janë gjetur të pajetë nga autoritetet në një rezervuar, i cili përdorej për ujitjen e tokës së një ferme në Fonterosa.
Kërkimet për dy vëllezërit të moshave 6 dhe 7 vjeç nisën që prej së martës, kur dy fëmijët Danieli e Stefani ishin larguar nga shtëpia teksa prindërit e tyre po pushonin pas drekës. Dy vëllezërve me origjinë rumune iu gjetën fillimisht në sipërfaqe vetëm pantoflat që kishin veshur për herë të fundit dhe më pas u bë e mundur gjetja e trupave të tyre.
Mediat e huaja kanë ngritur hipoteza sesi mund të jenë mbytur dy vogëlushët. Dyshohet se ata mund të kenë hyrë për t’u larë ose ndoshta në rezervuar u fut fillimisht njëri prej tyre ndërsa tjetri është futur për ta shpëtuar por pa sukses.
Nuk përjashtohet që të dy kanë shkuar atje, ndoshta për të luajtur ose për të futur këmbët dhe më pas kanë rrëshqitur pa mundur të ngrihen sërish. Hetuesit që po hetojnë ngjarjen nuk përjashtojnë asnjë hipotezë për të shpjeguar tragjedinë
Prokurori i Foggia do të hapë një hetim për vrasjen nga pakujdesia për të kuptuar dinamikën dhe shkaqet e tragjedisë dhe çdo përgjegjësi. Prindërit nuk kanë dashur të bëjnë asnjë deklaratë dhe janë mbyllur në një nga dhomat e fermës.