Lista Srpska ka reaguar për mbylljen e një salle sportive në Mitrovicën e Veriut, e cila ishte shfrytëzuar nga strukturat paralele, nga e ashtuquajtura Zyrë për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara.
Partia kryesore e serbëve në Kosovë tha se kjo është një “bastisje e dhunshme në Pallatin e Sporteve në Mitrovicën e Veriut nga njësitet policore nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Albin Kurtit paraqet një akt brutal të drejtuar kundër fëmijëve serbë, të drejtës së tyre për fëmijëri normale, zhvillim sportiv dhe shoqërim”.
Sprska pretendon se “salla e sportit në Mitrovicën e Veriut, ku çdo ditë stërviten qindra fëmijë dhe të rinj, sot është shndërruar në arenë për demonstrim politik të forcës”.
Kjo parti pretendoi se Policia e Kosovës ka “trembur të rinjtë”.
“Pjesëtarë të armatosur të policisë pushtuan pa asnjë arsye një objekt sportiv dhe në këtë mënyrë tentuan të trembnin më të rinjtë dhe të prishnin punën e dhjetëra ekipeve sportive që prej vitesh operojnë sipas standardeve më të larta pedagogjike dhe sportive”.
Lista Srpska shkoi më tej duke propaganduar se këto veprimet “paraqesin një përpjekje të qartë për shqiptarizimin e dhunshëm të veriut të Kosovës, dëbimin sistematik të popullatës serbe dhe heqjen e të gjitha formave të jetës normale për qytetarët tanë”.
“Në vend të dialogut, qeveria e Kurtit po përdor forcë brutale, madje duke synuar fëmijët, në përpjekje për të fshirë gjithçka serbe nga këto zona”.
Në fund, kjo parti i bëri “thirrje bashkësisë ndërkombëtare, në radhë të parë BE-së, KFOR-it, UNMIK-ut dhe të gjithë akterëve relevantë, të reagojnë pa vonesë dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës”.
“Kërkojmë tërheqjen e menjëhershme të forcave të policisë nga Salla e Sporteve dhe vazhdimin e papenguar të stërvitjeve dhe aktiviteteve sportive. Heshtja e bashkësisë ndërkombëtare në momente të tilla nënkupton mbështetje të heshtur për dhunën dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë për pasojat që mund të lindin nga veprime të tilla”.