Në rigjykimin për rastin ku Gani Geci po akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, që kishte ndodhur më 4 gusht të vitit 2014, në seancën e së martës është dëgjuar eksperti i psikiatrisë, Ajet Bunjaku. Mirëpo, kjo pjesë e gjykimit u mbyll për publikun.
Fillimisht, eksperti Bunjaku ka kërkuar nga gjykata që gjatë dhënies së dëshmisë së tij, seanca të mbyllet për publikun.
Gjykatësi Radosllav Markoviq e ka aprovuar kërkesën e ekspertit, duke lënë monitoruesit të qëndrojnë në sallë të gjykimit, mirëpo duke ndaluar publikimin e informacioneve të dhëna nga Bunjaku gjatë dëshmisë së tij.
Gjykatësi gjithashtu i njoftoi monitoruesit me pasojat ligjore të nxjerrjes së informatave nga ky gjykim i mbyllur.
Ndryshe, në seancën e së martës kanë munguar ekspertët Gani Halilaj dhe Arife Veseli, si dhe dëshmitari Bedri Shaqiri. Për këtë të fundit, gjykatësi tha se sipas informatave të marra nga Stacioni Policor në Skenderaj, thuhet se Shaqiri gjendet në Holandë.
Kështu, pas dëgjimit të eksperit Bunjaku, trupi gjykues mori vendim që të lexohet deklarata e dëshmitarit Shaqiri, e dhënë në polici më 5 gusht 2014, për çka nuk patën vërejtje prokurori Naim Beka dhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ndrecë Dodaj.
Tutje, avokati Dodaj ka propozuar që në këtë çështje penale, në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen Murat Mehmeti dhe Faton Ramadani.
Me propozimin për dëgjimin e dëshmitarit Ramadani u pajtua edhe prokurori Beka, por ai e kundërshtoi dëgjimin e dëshmitarit Mehmeti.
Megjithatë, trupi gjykues aprovoi propozimin e avokatit dhe dy dëshmitarët e lartpërmendur pritet të dëgjohen në seancën e radhës, të caktuar për 29 prill 2021, në ora 10:00.
Ndryshe, në seancën e parë të rigjykimit, të mbajtur më 30 mars të këtij viti, prokurori Naim Beka ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën e përdorimit të armës.
Sipas prokurorit Beka, vepra e lartpërmendur është konsumuar nga vepra penale e vrasjes, për çka dhe heq dorë nga pika e tretë e aktakuzës.
Pas kësaj, në atë seancë, Gani Geci ka deklaruar se për pikën e dytë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, e pranon fajësinë. Ndërsa për pikën e parë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të vrasjes, Geci tha se nuk ndihet fajtor.
“E pranoi fajësinë për mbajtje dhe posedim të armës. Armën e kam mbajtur për vetëmbrojtje, pasi kam pasur disa atentate. Ndërsa për veprën penale vrasje e rëndë nuk ndihem fajtor”, ka deklaruar i pandehuri Geci në seancën e 30 marsit.
Mirëpo, pranimi i fajësisë është refuzuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Radosllav Markoviq, pasi sipas tij, pranimi i fajësisë shqyrtohet kur të jepet në të gjitha pikat e dhëna si në aktakuzë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai akuzohet se vrasjen e kishte kryer në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014.
Geci e kishte pranuar se e ka kryer këtë vrasje, duke thënë se këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi kishte deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej.
Pas vendimit të shkallës së parë, Gjykata e Apelit kishte shqyrtuar ankesat e palëve, më 26 shtator 2017 dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.
Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin e veprës penale sipas aktakuzës së ndryshuar në “vrasje të rëndë”, pasi nuk ishte e qartë se për cilën vepër penale e ka shpallur fajtor.
Sipas vendimit, nga emërtimi ligjor i veprës penale sipas dispozitivit të aktgjykimit rezulton se i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale të “vrasjes”, kurse nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese, respektivisht, fakteve dhe rrethanave që përbëjnë figurën e veprës penale del se i akuzuari ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kundërthënie këto që sipas shkallës së dytë e bëjnë të pakuptueshëm dispozitivin e aktgjykimit.
“Këto kundërthënie dhe paqartësi janë aq të theksuara në aktgjykim sa e bëjnë atë të paqartë, konfuz dhe juridikisht të paqëndrueshëm dhe të cilat paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, që paraqesin bazë për anulimin e aktgjykimit, ngase janë të natyrës absolute dhe nuk mund të evitohen në këtë procedurë, sepse bëjnë të pamundur vlerësimin e drejtë të ligjshmërisë së aktgjykimit në fjalë”, thuhej në aktvendimin e Apelit.
Ndërkaq, me këtë aktvendim, ankesat e të dëmtuarës Halime Shaqiri dhe përfaqësuesit të autorizuar të saj, avokatit Sokol Dobruana, Apeli i kishte cilësuar si jo lëndore.