Ka përfunduar numërimi i votave në Vlorë ku fitues me një diferencë të thellë ka rezultuar kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë, Ermal Dredha.
Bëhet e ditur se Ermal Dredha ka siguruar 6 918 vota, Hysni Sharra i “Bashkë Fitojmë” ka siguruar 2, 914 vota ndërsa 300 fletë votimi janë cilësuar si të pavlefshme.
Ndërkohë, Erion Veliaj ka shpallur një tjetër fitore në qarkun në të cilin ai drejton Tiranën. Ndonëse rezultatet finale nuk janë pasqyruar ende në uebsajtin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryebashkiaku Veliaj ka shpallur fitoren e PS-së në Rrogozhinë.
“Fituam me një grusht votash, por Edisoni do t’i shërbejë me dashuri e përkushtim 100% të qytetarëve të saj, siç ka bërë çdo ditë deri më sot. Bravo atij dhe skuadrës, punë të mbarë nga sot për t’a çuar Rrogozhinën gjithnjë e më përpara. Përulësi e mirënjohje të jashtëzakonshme për qytetarët, që i dhanë sërish besimin e madh Partisë Socialiste,” shprehet Veliaj në një postim në mediat sociale.