Policia spanjolle në Katalonjë (Mossos d’Esquadra) goditi një klan të mafisë shqiptare që operonte në këtë zonë, e përfshirë në kultivimin e plantacioneve të drogës dhe trafikut të saj.
Ndërhyrja u krye nga forcat speciale në zonën e Camp de Tarragona dhe Terres de l’Ebre dhe u ndanë gjithashtu pamjet e aksionit ku morën pjesë dhjetëra forca.
Dy persona u arrestuan dhe të tjerë janë në kërkim apo hetim për rastin, teksa media spanjolle e cilësoi “një goditje të mafisë së marihuanës”.
Objektiv ishte goditja e grupeve kriminale që kanë ngritur “ferma bari” të shumta dhe e kanë kthyer Katalonjën në “kopshtin narkotik të Evropës”.
Gjithashtu raportohet se krerët më të lartë të shtetit kanë urdhëruar zhvillimin e kontrolleve të përditshme të territorit dhe aksioneve për goditjen e këtij fenomeni kriminal, që ka shqetësuar prej vitesh Spanjën.
Zona e Ebro dhe Salou konsiderohen më të preferuarat për organizatat kriminale shqiptare, kjo edhe sipas këshillimit nga kimistët, për shkak të vendndodhjes dhe klimës.
“Krerët e këtyre organizatave, ndonëse nuk janë udhëheqës të lartë, mbajnë pozicione pushteti në mafinë e marihuanës, zgjedhin të banojnë dhe të jetojnë në këto zona”, informon media, shkruan ReportTV.