Duke folur për aspektin procedural dhe hapat që do të ndërmerren për zhvillimin e çështjes gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, tha se do t’i thërrasin deri në 10 dëshmitarë.
“Ne ua përgjigjen më përpara. Ne nuk e dimë këtë me saktësi. Unë kam thënë që do kemi deri në 10 dëshmitarë, por nuk mund t’ua them me siguri”, tha Mishetiq, duke shtuar se ky numër është vetëm për ekipin mbrojtës të Thaçit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndërsa, mbrojtja e Veselit e përfaqësuar nga Rodney Dixon, tha se do të konsultohen si ekipe të mbrojtjes në mënyrë që të japin afat të përgjithshëm sa u takon dëshmitarëve të tyre.
Prokurori tha se nuk kanë asgjë për të paraqitur më nga provat e tyre, përveçse për t’iu përgjigjur parashtrimeve që dalin.
Kurse, Mishetiq theksoi se të katër ekipet mbrojtëse kanë qëllim që të paraqesin kërkesa në bazë të Rregullës 130 dhe se këtë gjë mbrojtja do ta bëjë së bashku. Tha se në diskutim me ekipet e mbrojtjes, duke pasur parasysh edhe vëllimin e materialit të ZPS-së, do iu duhen 14 ditë që nga data e vendimit të fundit të trupit gjykues lidhur me provat e paraqitura nga Prokuroria.
Ai tha se nuk mund të bëjnë mocione të tilla pa pasur të gjitha vendimet mbi provat e paraqitura të Prokurorisë.
Sipas Mishetiq, sipas kësaj, mocionet e tyre do i bëjnë në qershor, duke supozuar që trupit gjykues do i duhet një muaj për të vendosur mbi të gjitha materialet e Prokurorisë.
Trupi gjykues pyeti se a do të ishte e gatshme mbrojtja që mocionet e saj t’i dorëzonte më herët në rast që procedurat me Prokurorinë kryhen me herët. Si rrjedhojë, Mishetiq tha se mendojnë të paktën deri në qershor.
Ndërsa, ZPS-ja tha se ata respektojnë vendimin e trupit gjykues lidhur me afatin e mbrojtjes. Prokurori gjithashtu tha se për t’u përgjigjur në mocionin e mbrojtjes, duan një muaj kohë.
Palët u pyet se a ka dikush që do të bëjë parashtrime me gojë meqë nuk ka mundësi ta bëjnë një gjë të tillë gjatë parashtrimeve me shkrim.
Kurse, avokati Mishetiq tha se kërkojnë të paraqesin argumente me gojë meqë nuk iu lejohet kundërpërgjigja në përgjigjen e Prokurorisë pas mocionit të mbrojtjes.
Përfaqësuesit e Prokurorisë thanë se janë të gatshëm për çfarëdo lloj seance për aspekte të tilla.
Në anën tjetër, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III ua rikujtoi palëve që mbrojtjes nuk i lejohet apeli në rast që mocioni i tyre për rrëzimin e akuzave, rrëzohet.
Ndërsa, mbrojtësi i viktimave Simon Laws u pyet nëse do të paraqes çështjen e tij pasi të merret vendimi lidhur me mocionin e mbrojtjes për rrëzimin e akuzave në aktakuzë.
Laws që përfaqëson viktimat, tha se do paraqesin dy raporte që trajtojnë aspekte psikologjike dhe aspekte të dëmit material për viktimat. Tha se shpresojnë që më 2 maj t’i paraqesin dy raportet në bazë të rregullave dhe se një gjë të tillë do ta bëjnë brenda 14 majit.
Laws theksoi se dy ekspertët kanë dhënë raporte edhe në çështjen 04 dhe 05. Tha se më vonë se 14 maji, do bëjnë kërkesë për thirrjen e disa dëshmitarëve, qoftë edhe për pranimin e deklaratave të tyre sipas Rregullës 153.
Mbrojtësi i viktimave u shpreh se dokumentet për viktimat do t’i paraqesin në parashtrimet e tyre deri më 14 maj 2025. Ai tha se ka mundësi që dëshmitë e dëshmitarëve të tyre mund të zgjasin deri në dy javë.
Mishetiq tha se duke i pasur parasysh afatet kohore, do ishte mirë që pas pushimit të verës të caktohet data për fillimin e paraqitjes së provave nga ana e mbrojtësit të viktimave. Qëndrimit të Mishetiq iu bashku edhe mbrojtësi i Veselit, Rodney Dixon./Gazeta Papirus/