Gregory W. Kehoe, avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi më 1 shkurt 2023 ka dorëzuar një mocion përmes të cilit kërkon nga trupi gjykues që të lëshojë një urdhër për Prokurorinë Speciale që të zvogëlojë shtrirjen kohore të aktakuzës deri më 20 qershor të vitit 1999. Gjithashtu mbrojtja kërkon që të bëhet edhe zvogëlim i mëtejshëm i shtrirjes kohore dhe gjeografike të aktakuzës.
Këtë kërkesë e kanë arsyetuar me nevojën për të mbrojtur të drejtën e Hashim Thaçit për një gjykim të shpejtë. Mbrojtja e Thaçit në kërkesën drejtuar trupit gjykues thotë se duhet të merret parasysh edhe “pamjaftueshmëria e provave” në të cilat mbështetet Prokuroria Speciale për të vërtetuar ekzistencën e konfliktit të armatosur në Kosovës edhe pas 20 qershorit 1999.
“Trupi Gjykues duhet të sigurojë zhvillimin e drejtë dhe të shpejtë të procedurave duke ftuar SPO-në që të zvogëlojë shtrirjen kohore të aktakuzës në Konferencën përgatitore të Prokurorit të Specializuar. Siç është përcaktuar më poshtë, Trupi Gjykues ka autoritetin që të urdhërojë SPO-në që të zvogëlojë shtrirjen kohore (dhe gjeografike) të aktakuzës pavarësisht nga bazueshmëria e pretendimeve dhe provave që do të përjashtoheshin nga gjykimi nëse një urdhër i tillë do të ishte lëshuar. Në të dyja rastet, pamjaftueshmëria e provave në të cilat mbështetet SPO për të vërtetuar ekzistencën e konfliktit të armatosur në Kosovë përtej 20 qershorit 1999 është një faktor që duhet marrë parasysh në vendosjen nëse do të zvogëlohet shtrirja kohore e aktakuzës”, thuhet në dokument, raporton Gazeta Express.
Lidhur me këtë mocion të mbrojtjes së Thaçit ka dhënë përgjigje edhe Prokuroria Speciale e cila ka kërkuar që mocion të hidhet poshtë meqë sipas tyre është plotësisht i pabazuar.
Prokuroria Speciale në argumentimin e tyre kanë thënë se asnjë konstatim mbi ekzistencën e konflikt të armatosur pas 20 qershorit 1999 s’mund ta ndikojë periudhën e aktakuzës sepse periudha pas 20 qershorit 1999 gjithashtu ndërlidhet me 6 akuza për krime kundër njerëzimit të cilat do të jenë të pandikuara.
“Në fund, për arsyet e parashtruara më sipër, kërkesa shtesë e Thaçit drejtuar Trupit Gjykues për të zvogëluar shtrirjen kohore dhe/ose gjeografike të aktakuzës pasi e sheh të nevojshme për të mbrojtur të drejtën e të akuzuarit për një gjykim të shpejtë është tërësisht e pabazuar dhe duhet të hidhet poshtë përfundimisht”, thuhet në dokumentin e prokurorisë.
Në fund Prokuroria thotë se për të gjitha arsyetimet e dhëna, Trupi Gjykues duhet ta refuzojë mocionin në tërësi.