Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje në mbrëmjen e së premtes, ku ka ndarë 20 milionë euro mjete buxhetore me qëllim të tejkalimit të krizës energjetike.
Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një komunikate nga Zyra e Kryeministrisë, derisa ka njoftuar edhe për procedurën e ndarjes së mjetëve.
“Qeveria ka ndarë mjete buxhetore në shumë prej njëzet milionë euro (20.000.000,00 € ), për zbatimin e masës për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike. Mjetet e ndara merren nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike, nën-programi “Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike” te kategoria e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”. Këto mjete transferohen në Ministrinë e Ekonomisë, te kategoria e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”, në nën programin “Njësia për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike””, thuhet në njoftim.
“Ministria e Ekonomisë do të transferojë këto mjete te Ndërmarrja Publike KEK Sh.A. dhe shfrytëzimi i këtyre mjeteve do të përcaktohet në marrëveshjen që do të lidhet në mes të Ministrisë së Ekonomisë dhe Korporatës Energjetike të Kosovës”, deklarohet tutje.
Njoftimi i plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës, në formë elektronike, sot ka mbajtur mbledhjen e 49-të të saj, në të cilën janë miratuar dy vendime.
Vendimi i parë i miratuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme është për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë përmes të cilës Pakos së Ringjalljes Ekonomike i shtohet masa 3.7, — Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, që do të shfrytëzohet për të subvencionuar importin e energjisë elektrike.
Vendimi i dytë është miratuar pas shqyrtimit të kërkesës së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e masës 3.7, të aprovuar në vendimin paraprak.
Qeveria ka ndarë mjete buxhetore në shumë prej njëzet milionë euro (20.000.000,00 € ), për zbatimin e masës për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike. Mjetet e ndara merren nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike, nën-programi “Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike” te kategoria e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”. Këto mjete transferohen në Ministrinë e Ekonomisë, te kategoria e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”, në nën programin “Njësia për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike”.
Ministria e Ekonomisë do të transferojë këto mjete te Ndërmarrja Publike KEK Sh.A. dhe shfrytëzimi i këtyre mjeteve do të përcaktohet në marrëveshjen që do të lidhet në mes të Ministrisë së Ekonomisë dhe Korporatës Energjetike të Kosovës.