Kushtet jo të mira të punës, e paga e ulët po shtyjnë infermierët të lënë vendet e tyre të punës në Kosovë, e të ia mësyjnë shteteve evropiane. Sipas Odës së Infermierëve, për rreth 10 muaj, mbi 600 infermierë janë larguar nga institucionet shëndetësore, derisa thonë se kjo duhet të jetë shqetësuese për institucionet përgjegjëse.
Pranvera Ilazi, e cila ka përfunduar shkollën e mesme të infermierisë, po kompleton dokumentacionin e nevojshëm për të aplikuar për vizë gjermane.
Ajo thotë se kushtet jo të mira për punën e infermierit në institucionet shëndetësore, e kanë shtyrë të shikojë mundësitë jashtë kufijve të Kosovës.
“Shkaku kryesor është për shkak të kushteve jo të mira në Kosovë, normal që për këtë arsye si unë edhe çdo kush tjetër dëshiron me dal jashtë vendit, d.m.th arsyeja kryesore është për kushte më të mira dhe një jetesë më të mirë”, ka thënë Pranvera Ilazi – qytetare për RTV Dukagjini.
Rrugë të njëjtë sikur Pranvera, ka zgjedhur të marr edhe një e diplomuar në infermieri, nga komuna e Gjilanit. Ajo nuk ka dashur të identifikohet teksa ka treguar se për 1 vit ka punuar, infermiere në qendrën e vaksinimit kundër COVID-19.
Pas përfundimit të kontratës aty, ajo disa herë ka aplikuar në konkurse në këtë komunë, por nuk është pranuar.
“Kam aplikuar në disa konkurse, por infermierët kanë qenë të punësuar, edhe para konkursit, është një gjë shumë e rëndë për me thënë, por jo është e vërteta në vendin tonë. Ky vend zgjidhjen e vetme që po na ofron është largimi nga këtu, dhe kërkimi i mundësive të reja dhe më të mira në shtetet perëndimore”, ka thënë N.N – ish-infermiere.
Një ditë më parë, Sindikata e Punëtorëve shëndetësorë të QKUK-së, ngriti shqetësime për ikjen e vazhdueshme të infermierëve. Përmes një njoftimi në Facebook, ata kanë thënë se vitin tjetër parashihet që rreth 1 mijë e 500 infermierë të largohen nga vendi, drejt shteteve evropiane.
E në Odën e Infermierëve të Kosovës, thonë se ikja e këtij kuadri është shqetësuese, derisa thonë se këtë vit mbi 600 infermierë kanë lënë vendet e tyre të punës.
“Është me të vërtetë shqetësuese, ikja e infermierëve nga Kosova, pavarësisht se kemi numër shumë të madh të infermierëve, kjo është brengosëse për neve si Odë, por duhet të jetë brengosëse edhe për institucionet përgjegjëse”, ka thënë Naser Rrustemaj – Kryetar i Odës në Infermierëve.
Rrustemaj shton se pavarësisht kërkesave që kanë drejtuar, asnjë prej tyre nuk është marr parasysh deri më tash.
Një ndër spitalet rajonale që ka mungesë të stafit, është edhe ai i Gjakovës. Përfaqësues të këtij institucioni kanë treguar se përkundër që kanë rreth 350 infermierë, ata nuk janë të mjaftueshëm për të mbuluar kërkesat.
Por, mungesë të infermierëve nuk kanë edhe në spitalin e Gjilanit. Drejtori Ekzekutiv në këtë Spital, Arsim Emini, ka thënë se përkundër që një numër i personelit është larguar jashtë Kosove, ata kanë shkuar për shkak se atje kanë pasur anëtarë tjerë të familjes.