Mbi 500 zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), përmes sindikatës së ATK-së kanë bërë padi ndaj ministrit të Financave Hekuran Murati.
Padia është bërë për shkak se nuk u janë përmbushur të drejtat e tyre për rritjen e pagave, premtim që ua dha ministri Murati.
“Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit dhe shqetësimet e stafit lidhur me pagat, ku rreth 70 % e stafit nuk ka pasur rritje të pëgës, (përveç atyre që mbajnë pozitën e inspektorit sipas kontratës së punës), ju njoftojmë se kjo gjendje është si pasojë e mosnënshkrimit të rregullores për organizimin dhe klasifikimin e vendeve të punës për puntorët e ATK-së”, thuhet në njoftim.
“Mosveprimi nga Ministria e Financave, përkatësisht ministria përkatëse Hekuran Murati si person përgjegjës, ka shkaktuar pasiguri juridike si edhe pasoja materiale për punëtorët e ATK-së”, thuhet në njoftimin e sindikatës.
Po ashtu sipas tyre mosndërmarrja e veprimeve nga ministria lidhur me miratimin e rregullores së lartcekur përbën shkelje ligjore si edhe shkelje të parimeve të të drejtave të garantuara me Kushteturë si dhe për puntorët e ATK-së edhe për pavarësinë e institucionit.
“Përkundër kërkesave të njëpasnjëshme nga SHSPATK-ja në Ministrinë e Financave e Punës dhe Transfereve si edhe obligimi ligjor bazuar në Ligjin nr.08/L-257 për Administrimin e procedurave tatimore, deri sot nuk kemi asnjë njoftim zyrtar lidhur me miratimin dhe aplikimin e kësaj rregulloreje. Përvreç kësaj, ne kemi shkuar edhe në zyrën e ministrit duke kërkuar që të ndërmarrë veprime drejt miratimit të rregullores edhe pse na premtoi se rregullorja do të procedohet shpejt ne ende nuk jemi njoftuar për asgjë.
Deri sa jemi në këtë situatë ku përveç fjalëve nuk kemi asgjë zyrtare) kemi qenë në kontakt edhe me avokaturën e përzgjedhur dhe sot kemi dorëzuar në MFPT kërkesën dhe padinë ndaj ministrit përgjegjës sepse përeveç që kemi qenë të dëmtuar deri tashti në muajt në vijim mund të dëmtohemi edhe më shumë dhe të gjithë këto dëme do të i kërkojmë në procedurë gjyqësore”, thuhet në fund të njoftimit të Kryesisë së Sindikatës së Puntorëve të ATK-së.