Policia e Kosovës (PK) ka dhënë detaje lidhur me aksionin që është zhvilluar kundër fajdesë në Pejë, i cili rezultoi me 17 të arrestuar dhe me ngrirje të pasurisë në vlerë mbi 5 milionë euro. Sipas policisë, janë sekuestruar 45 mijë e 700 euro para kesh dhe 12 armë zjarri.
Përmes raportit 24-orësh, policia bën të ditur se hetimet në këtë rast kanë zgjatur disa muaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Lidhur me veprat penale, pas hetimeve disa mujore nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar me datën 22.02.2022 janë kontrolluar 21 lokacione të ndryshme në regjionin e Pejës dhe janë arrestuar 16 persona të dyshuar të gjithë meshkuj kosovarë”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, nga ky operacion në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: 12 armë zjarri, 544 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, 45 mijë e 700 euro para kesh, 15 telefona celularë, 10 automjete dhe dokumente të ndryshme.
“Gjithashtu me urdhëresë të prokurorisë është bërë ngrirja e përkohshme e 102 parcelave të tokës përfshi tokë bujqësore, objekte afarizmi dhe banimi. Me vendim të prokurorit të gjithë personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje”, njofton policia.Ndryshe, lidhur me këtë rast, Prokuroria e Pejës të martën ka mbajtur konferencë për medie, ku u tha se do të paraqitet kërkesa për paraburgim ndaj 16 të arrestuarve, ngase njëri prej tyre është në paraburgim. /BetimipërDrejtësi