Një Ministri e Shëndetësisë pa ministër, një klinikë e ‘larë’ me gjakun e pafajshëm të një shtatzëne, tre krisma plumbash, një nënë që nuk arriti të ia ndjente aromën të birit dhe një sistem që nuk po jep përgjegjësi.
Kosova është me ushtrues detyre të ministres së Shëndetësisë që nga muaji tetor, kur ministri Rifat Latifi dha dorëheqje. Dafina Gexha-Bunjaku, këtë pozitë po e mbanë për të dytën herë që nga koha kur vendi po qeveriset nga kryeministri Albin Kurti. Deri tani u ndërruar dy ministra në këtë dikaster.
Tashmë janë bërë 100 ditë pa ministër të këtij dikasteri dhe nga qeveria ende nuk kanë asnjë emër të propozuar si kandidate potencial për të udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë.
Nga opozita i thanë Gazetës Insajderi se peng i mos emërimit të një personi në karrigen e të parit të Shëndetësisë është vet partia në pushtet.
Një mosmarrëveshje në mes të partisë së Vetëvendosjes dhe partisë Guxo, posti i ministrit të Shëndetësisë ka mbetur ende me ushtrues detyre.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu njëherit edhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi, në një prononcim për Gazeten Insajderi ka thënë se pozita e ministrit të Shëndetësisë ka mbet peng i grupeve të interesit brenda partive qeverisëse.
“Po shihet që pozita e ministrit të Shëndetësisë ka mbetur peng e grupeve të interesit brenda LVV dhe GUXO”, tha Haxhiu për Insajderin.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, po ashtu anëtari i Komisionit për Shëndetësi i tha Gazetës se një marrëveshje politik në mes koalicioni qeverisës ka bërë që të mbetemi pa ministër.
Dreshaj mendon se ministri në ardhje do të jetë nga Vetëvendosja.
“Deri tani nuk ka ndonjë emër të propozuar për ministër të MSH. Mosemërimi i ministrit të Shëndetësisë është peng i marrëveshjes politike të koalicionit qeverisës. Unë mendoj qe nuk propozohet prej partisë guxo askush, do të jetë i VV-së”, tha Dreshaj për Insajderin.
‘Sistemi shëndetësorë është prioriteti yt’, ishin fjalët e qeveritarëve gjithnjë por realiteti përkon ndryshe.
Ministria e Shëndetësisë është pa ‘zot shtëpie’ dhe askush nuk jep ndonjë sqarim për këtë.
Rasti i fundit makabër që ndodhi ka bërë që ky dikaster të kryqëzohet edhe më shumë për jotransparencë dhe papërgjegjësi. Hamide Magashi, një 35 vjeçare shtatzëne në muajin e nëntë u vra mizorisht nga ish-burri i saj para dyerve të Klinikes së Gjinekologjisë, në QKUK.
Një ‘urdhër’ i prerë ndërpriti çdo formë komunikimi apo transparence me udhëheqësit e këtij dikasteri, e që kishte të bënte me tragjedinë që ndodhi brenda institucioni publik.
Që nga drejtori i kësaj klinike, Zef Ndrejaj i cili tash e më shumë se 30 ora nga ngjarja nuk ka nxjerr asnjë reagim lidhur me vrasjen që ndodhi para klinikes që ai udhëheq.
Kurse, ud drejtoresha e ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raci dhe ud ministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dje në mbledhjen e komisionit parlamentar të Shëndetësisë zgjodhën heshtjen kur u pyetën për dorëheqjen morale dhe përgjegjësi.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar drejtori e Gjinekologjisë që nga dita kur ndodhi rasti tragjik por i njëjtit nuk nuk u përgjigj asnjëherë deri më tani.
Po ashtu, Gazeta ka pyetur ShSKUK-së lidhur me intervenimin e mjekëve për shpëtimin e foshnjës nga nëna e vrarë, por të njëjtit që nga dje nuk ka kthyer përgjigje.
Përveç kësaj as mjekë dhe infermierë në Klinikën e Gjinekologjisë nuk kanë pranuar të flasin për Insajderi, pavarësisht insistimit gjatë këtyre dy ditësh.
Kronologjia e vrasjes mizore të Hamide Magashi
Një grua e re 35 vjeçare me foshnjën e saj që pritej ta sillte në jetë brenda këtyre dy ditësh, u vra nga ish-burri i saj, para Gjinekologjisë.
E ndjera e kishte denoncuar për dhunë ish-burrin dhe ishte në proces divorci derisa ndaj vrasësit të saj ishte ngritur aktakuzë për “Kanosje”, kishte edhe një urdhër gjykate të mos i afrohej asaj.
Ishte kapur edhe me armë zjarri, por Gjykata Themelore e Ferizajt e dënoi vetëm me gjobë. Por, përkundë të gjitha këtyre, Sokol Halili ishte lënë i lirë nga organet e drejtësisë, aq sa të thyente urdhrin e gjykatës e me armë zjarri, brenda hapësirës së një institucioni tjetër shtetëror – QKUK – të merrte dy jetë lehtësisht
Vrasjet më të rënda të grave në Kosovë nga bashkëshortët e tyre, e kanë një të përbashkët të hidhur. Për kërcënimet, dhunën psikike e fizike, është i njoftuar zyrtarisht edhe shteti. Respektivisht policia, prokuroria e gjykata.
Edhe në rastin e mbrëmshëm vrasësi Sokol Halili, ishte person i njohur për këto tri hallka të drejtësisë,shkruan Gazeta Insajderi.
Ish-bashkëshortja e tij, tani e ndjera Hamide Magashi e kishte denoncuar Halilin në polici për dhunën që e ushtronte ai. Këtë e ka bërë para disa muajsh.
Lidhur me denoncimin e saj në polici, prokuroria Themelore e Ferizajt, kishte nisur hetimet. Me 10 gusht ajo e ngriti aktakuzën.
Ky institucion e ngarkonte Halilin me veprën penale “Kanosje”, shkruan Gazeta Insajderi.
“Me datë 10.08.2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzën e evidentuar si: PP.II.nr,1066/2022, me të cilin ka akuzuar të pandehurin S.H. për veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, ndaj të dëmtuarës H.M”, thuhet në konfirmimin e Gjykatës së Ferizajt.
Halili, në seancën e parë që është mbajtur për këtë rast me kishte kundërshtuar aktakuzën, me arsyetimin se nuk e pranon fajësinë për veprën penale.
“Me datë 07.09.2022 lidhur me këtë aktakuzë është caktuar dhe mbajtur shqyrtimi fillestar, me ç ‘rast i pandehuri S.H. ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet”
Gjykata me datë 18 nëntor ka marr aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e mbrojtësi të pandehurit për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.