Një pjesë e tregut me shumicë në Prishtinë është kthyer në deponi të mbeturinave, e cila sipas shitësve, nuk është pastruar për më shumë se një muaj. Megjithatë nga ndërmarrja publike “Tregjet” jo-zyrtarisht thanë se vet-tregtarët janë fajtorë për gjendjen sepse kompania e kontraktuar, sipas tyre, për çdo mëngjes e mbledhë bërllokun në vendet përkatëse por jo edhe në deponinë e krijuar nga vetë tregtarët. Këta të fundit i kanë dhënë 10 ditë kohë për pastrimin e bërllokut, në të kundërtën kanë bërë disa paralajmërime
Edhe dy javë do të dalë me perime vendore në tregun me shumicë, por sot ka ardhur për të marrë disa gjësende, e të vizitojë vendin ku do ta kalojë verën.
Pritja nga shokët e punës, bujkut Mirsad Mazreku po i pëlqen, por jo edhe ambienti i punës.
“Katrastrofale gati gjysma e tregut qenka e bllokuar prej bërllogut, nëse mbetet kështu kjo është katastrof kjo gjendje…Kjo është katastrofale nuk di nëse vazhdon kështu atëherë do të dalim atje në autostradë, atje e bëjmë një treg edhe i shesim se diku duhet me dalë malli me e shitë”, ka thënë Mirsad Mazreku, Prodhues nga Rahoveci.
Prodhuesit dhe tregtarët që shesin në tregun në hyrje të Prishtinës thonë se kjo deponi e bërllokut është në këtë gjendje qe gati një muaj.
Ata mund të jenë kritikë për gjendjen që po shihet, por nuk mund ta mohojnë faktin se mbeturinat vijnë nga bizneset e tyre.
Madje gjatë kohës sa ekipi i RTV Dukagjini qëndroi në këtë pjesë, u panë tregtarë që mbeturinat i nxirrnin nga veturat.
Ata nuk treguan se ku punojnë, por thanë se shefi iu ka thënë se janë marrë vesh për këtë deponi.
Kjo hapësirë menaxhohet nga ndërmarrja publike “Tregjet”, e cila tash është në kuadër të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Megjithatë, asamblistë të opozitës thonë se Komuna e Prishtinës duhet të ndërmarrë masa.
“Komuna e Prishtinës nuk po merr asnjë veprim për të përmirësuar këtë gjendje. Kryetari Rama në prill të vitit të kaluar tashmë më shumë se një viti ka kërkuan nga komuna që ne si Asamble Komunale ta autorizojmë në mënyrë që ai t’i fillojë negociatat që ndërmarrjet “Tregjet” ta shndërroj në ndërmarrje komunale”, ka thënë Gëzim Sveçla, Shef i asamblistëve të VV-së, Prishtinë.
Sveçla insiston se hapësirat në të cilat mbahet tregu janë pronë e Komunës, për çka thotë se duhet të përkujdesen për të.
Nga ndërmarrja që e menaxhon këtë treg, prapa kamerës deklaruan se fajtorë për këtë gjendje janë vetë shitësit në treg. Sipas tyre kompania “Pastrimi” për çdo ditë e heq bërllokun brenda hapësirave të tregut, por as kjo nuk po kryen punë.
Ata paralajmëruan edhe një herë do ta pastrojnë këtë hapësirë, ndërsa herën tjetër do të ndëshkohet kushdo që hedh mbeturina.
Në anën tjetër nga Shoqata e Tregtarëve të Tregut me Shumicë nuk pranuan të flasim para kamerës. Por, RTV Dukagjini merr vesh se shoqata përmes një kërkese zyrtare i ka dhënë afat 10 ditë AKP-së dhe Komunës së Prishtinës që të pastrohet kjo deponi, në të kundërtën kanë paralajmëruar protesta dhe veprime të tjera.
Ata pretendojnë se janë pajtuar që të paguajnë edhe një pjesë shtesë në mënyrë që të mirëmbahet edhe kjo hapësirë e tregut