Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri u mbajt sot testi me shkrim i kandidatëve për prokurorë të shtetit.
Në kuadër të procesit që rekruton 16 prokurorë për prokuroritë themelore, bëhet e ditur se morrën pjesë 180 kandidatë.
Prej tyre 62 ishin gra dhe një nga radhët e komuniteteve jo shumicë, transmeton Klankosova.tv.
“Mbajtjen e testit të sotëm me shkrim e mbikëqyren anëtarët e Komisionit për Rekrutim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, kurse për të monitoruar ketë proces ishin të pranishëm përfaqësues të Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike – GLPS, ndërsa për të vëzhguar ishin të pranishëm përfaqësues të Programit të Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë – EUKOJUST dhe përfaqësues të Projektit të Ambasadës Britanike në Kosovë “Forcimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë”, përmes partnerëve implementues “Axiom International”,” thuhej në një njoftim për media të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Tutje bëhet e ditur se procesi i rekrutimit të prokurorëve ka filluar me shpalljen e konkursit në qershor të vitit 2020 dhe me rishpalljen e tij në maj të vitit 2021.
“Testi me shkrim për rekrutimin e prokurorëve të rinj të shtetit është pjesë e fazës së dytë të testimit të përgjithshëm, të cilin Këshilli Prokurorial i Kosovës e menaxhon sipas standardeve më të avancuara ndërkombëtare.