Publicisti Muhamet Mavraj ka përkujtuar sot 27-vjetorin e ardhjes së flamurit amerikan në Kosovë, në lagjen Arbëria (Dragodan).
“Sa datë e lehtë për t’u mbajtur në mend: 5.6.1996. Flamuri amerikan erdhi në tokën tonë, këndej gardhit, në Kosovë, në periferi të Prishtinës, në skajin e poshtëm të lagjes Arbëria (Dragodan). Banoja në periferinë tjetër, skajin diagonal të tij, lart në kodër të asaj që i thoshin Kolevicë, prej nga e shijoja thellë Prishtinën në pëllëmbë dore”, kështu e përkujton këtë datë Mavraj, derisa shpreh mirënjohje për ShBA-në, për gjithë atë që bëri për popullin e Kosovës.
Ai ka theksuar se: “Tre qershora më vonë, Kosova u çlirua, 1999, sepse ai flamur u bë aleati vendimtar i ushtrisë sonë çlirimtare. Na ndihmoi edhe në Maqedoni, edhe kudo deri sot, përfshirë edhe ngritjen e policisë dhe ushtrisë sonë shtetërore, edhe pranimin e Shqipërisë në NATO”.
Ndërkaq sot në këtë datë, Kosova ka ftohur tepër fortë raportet me ShBA-në si pasojë e situatës së fundit në veri, duke vepruar njëanshëm Qeveria e Kosovës dhe pa koordinim me aleatin e saj kryesor – ShBA-në. Amerika ka përjashtuar Kosovën nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe ’23”, ka paralajmëruar se do të ndalë të gjitha përpjekjet për të ndihmuar Kosovën në njohje me shtetet që nuk e kanë njohur dhe në procesin e integrimit në organizata ndërkombëtare.
“Ky qershor, i 27-ti, na gjen kështu siç po e dini, dhe s’po e zgjasim: nen ndëshkime e mosbesim të thellë. Tash po e jetojmë edhe marifetin e ri, fort të adhuruar nga armiqtë historikë, me shqiptarë gjithnjë më mosmirënjohës, haptas e qorras!”, ka shkruar Mavraj në postimin e tretë radhazi të tij për Amerikën.
Postimi i plotë i Mavrajt:
27 vjet.
Sa datë e lehtë për t’u mbajtur në mend: 5.6.1996. Flamuri amerikan erdhi në tokën tonë, këndej gardhit, në Kosovë, në periferi të Prishtinës, në skajin e poshtëm të lagjes Arbëria (Dragodan).
Banoja në periferinë tjetër, skajin diagonal të tij, lart në kodër të asaj qe i thoshin Kolevicë, prej nga e shijoja thellë Prishtinën në pëllëmbë dore.
Rutina ditore e asaj vere u bë kjo: ulur në bar para shtëpizës njëdhomëshe vështroja drejt pikës së flamurit amerikan, disa kilometra larg. Për të pritur puhinë. Për ta dalluar atë flamur. Ndoshta nuk lëvizte flamuri, as era, por mendja ime, mbase të trija bashkë. Kur binte nata, nëse me vinte keq për diçka, ishte edhe pamundësia për ta parë atë flamur.
Ai pati ardhur pasi na plasën zemrat një vere më përpara, 1995, duke dëgjuar klithmat e Bosnjës, ra Zhepa që ishte në besë të botës, ra Gorazhda, erdhi kasaphanja e Srebrenicës… dhe në Dejton natyrisht që nuk do të thirrej Kosova siç na mashtronin këtu, si sport normal.
Një qershor më vonë, Kosova po gatuante nisjen, 1997. Dy qershora më vonë, amerikani viziton ushtrinë tonë në luftë.
Tre qershora më vonë, Kosova u çlirua, 1999, sepse ai flamur u bë aleati vendimtar i ushtrisë sonë çlirimtare. Na ndihmoi edhe në Maqedoni, edhe kudo deri sot, përfshirë edhe ngritjen e policisë dhe ushtrisë sonë shtetërore, edhe pranimin e Shqipërisë në NATO.
Ky qershor, i 27-ti, na gjen kështu siç po e dini, dhe s’po e zgjasim: nen ndëshkime e mosbesim të thellë. Tash po e jetojmë edhe marifetin e ri, fort të adhuruar nga armiqtë historikë, me shqiptarë gjithnjë më mosmirënjohës, haptas e qorras!
Miq,
ndikoni tek tjerët, kudo që mundeni, me fjalë të buta, të matura, bindëse, se nuk bëni gjë gjynah t’i thoni dy porositë që na vijnë nga përvojat njerëzore e njerëzillaku: se MIRËNJOHJA nuk është dobësi, nuk është turp, por është lulja më e bukur e zemrës dhe e karakterit njerëzor; se MOSMIRENJOHËSI është asgjë më pak sesa krijesa më e urryer, në tokë dhe në qiell, që herët a vonë do të korrë çfarë mbjellë, e nëse mbolli erë do të korrë furtunë.
Nderime kombit amerikan dhe brezave tanë atdhedashës të përvëluar në zemër, të cilët për një shekull nuk u ndalen se punuari për krijimin, ruajtjen dhe forcimin e miqësisë shqiptaro-amerikane!