166 parcela në komunat e Novobërdës dhe Graçanicës dhe dy banesa në vlerë më shumë se 1 milion euro, janë sekuestruar të mërkurën, pas dyshimeve se pronari i kompanisë “GG Exclusive” i kishte përfituar nëpërmjet mashtrimit.
Sekuestrimi është pjesë e çështjes penale ndaj Granit Gojanit, pronarit të “GG Exclusive”, pasi dyshohet se ka mashtruar qytetarët. Për këto raste ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës gjashtë muaj më parë.
Dyshohet se Gojani ka marrë qindra mijëra euro nga të dëmtuarit për ndërtimin e vilave prej druri.
Ndërtimi i vilave nuk kishte përfunduar kurrë dhe disa prej tyre dyshohet se as nuk kanë nisur të ndërtohen.
Prokuroria Themelore në Prishtinë nëpërmjet një njoftimi sot ka thënë se hetimet janë duke vazhduar.
Në njoftim thuhet se janë ngrirë dhe sekuestruar edhe 166 parcela të cilat gjendjen në komunën e Novobërdës dhe Graçanicës, si dhe 2 banesa në vlerë prej më shumë se 1 milionë eurosh, të cilat dyshohet se janë përfituar me vepër penale.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik dhe të dëmtuarit të çështjes penale kundër të pandehurit G.G për veprën penale ‘’Mashtrimi’’ nga neni 323 par.4 se në vazhdën e hetimeve ndaj të pandehurit G.G., me datë 05.03.2025 ka ngrirë/sekuestruar edhe 166 parcela të cilat gjenden në komunën e Novobërdës dhe Graqanicës, si dhe 2 banesa në Prishtinë në vlerë mbi 1 milionë euro për të cilat eksiton dyshimi i bazuar se janë përfituar me vepër penale”, shkruhet në njoftim.
Tutje, në lidhje me këtë rast thuhet se hetimet janë në fazën finale.