Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot do të mbajë një mbledhje virtuale me kryetarët e komunave të Kosovës, për të diskutuar rreth masave të reja anti-Covid.
Siç mëson Express, mbledhja do të fillojë në orën 10:00, ndërkaq aty do të diskutohen në detaje masat e reja anti-Covid, përfshirë edhe mbylljen për 12 ditë, për të cilën Vitia dje ka folur edhe me ministrat e kabinetit qeveritar dhe përfaqësuesit e gastronomisë.
Aty u bë e ditur se do të mbyllën lokalet e gastronomisë, qendrat tregtare, palestrat dhe shkollat, ndërkaq u tha se kjo mbyllje do të mbëhet nga data 6 deri më 18 prill.
Kundër masave të propozuara dje kanë dalë gastronomët, të cilët thanë se Vitia ka marrë vendim pa i konsultuar.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, të shtunën bëri të ditur se kanë pritur që në takimin me Vitinë të ketë diskutime rreth masave, por ministri i Shëndetësisë tashmë e kishte marrë vendimin të cilin vetëm ua kumtoi.
“Ky vendim eshte vendim arbitrar, i njëanshëm, dhe jo i pranueshem për Gastronominë e Kosovës e cila çdo ditë e më shumë po rrëzohet për toke. Ne kundershtojme fuqishem kete vendim dhe do të vazhdojme të kundershtojme edhe më tutje çdo vendim që mirret njëanshem pa konsulltim”, ka shkruar Kllokoqi në Facebook.