Në një skandal të madh në Slloveni është përfshirë edhe ish-anëtari i Kryesisë së LVV-së, Martin Berishaj, i cili është emëruar nga pushteti i ri si ambasador në Kroaci. Mediat në Slloveni kanë raportuar se ish-anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Martin Berishaj, dyshohet si i përfshirë në një skandal të madh që ka të bëjë me shpëlarjen e qindra mijëra eurove.
Berishaj që dikur e festonte fitoren e LVV-së me shampanjë me kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca po dyshohet se është përfshirë në një skandal qindra mijëra euro së bashku me kryetarin e Partisë së Lirisë në Slloveni, Robert Golob.
Në këtë aferë financiare, e cila po hetohet nën dyshimet se ka të bëjë me shpëlarje parash, ambasadori i Kosovës është i dyshuar për bartjen e rreth 600 mijë eurove CASH nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven, përcjell Demokracia.com.
E ambasadori që po cilësohet si “mushkë financiare” nga mediat sllovene ishte bërë anëtar i kryesisë së partisë së kryeministrit Kurti në vitin 2018.
“Këshilli i Lëvizjes VETËVENDOSJE! zgjodhi nëpërmjet votimit të fshehtë pesë anëtarë të rinj të Kryesisë së Lëvizjes si dhe zgjodhi për nënkryetarin e parë, Besnik Bislimin dhe për sekretare organizative, Vlora Haxhimehmedin. Ndërkaq në pozicionin e drejtuesit të Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë është zgjedhur Boiken Abazi dhe udhëheqëse e Komiteteve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Dejona Mihali. Anëtarët e rinj të Kryesisë, përmes votimit, janë plotësuar me Arbërie Nagavcin, Martin Berishajn, Arber A. Rexhajn, Arbër Zaimin dhe Ajet Poterën”, thuhej në njoftimin e VV-së.