Vitit 2021 ishte një vit me mjaft zhvillime në jetën personale të disa prej figurave publike.
Shumë prej tyre i dhanë fund beqarisë gjatë këtij viti, duke kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë.
Kushtet pandemike fatkeqësisht ndikuan që edhe gjatë vitit 2021 ceremonitë festive të ishin të kufizuara dhe me një numër të limituar njerëzish.
Pavarësisht kësaj, martesat ishin të shumta gjatë këtij viti dhe në mesin e tyre ishin edhe një numër i madh i figurave publike.
Në vazhdim, Telegrafi ju njeh me disa prej figurave publike që i dhanë fund beqarisë gjatë vitit 2021.
Fjolla Morina
Këngëtarja e njohur shqiptare, Fjolla Morina, në muajin mars i dha fund beqarisë duke kurorëzuar dashurinë e saj me martesë me biznesmenin Fisnik Syla.
Çifti u kurorëzuan në një ceremoni shumë private dhe luksoze në Ishujt Maldive.
Ata u nisën për të shijuar së bashku pushimet, teksa në një moment, Fjolla ka marrë propozim për martesë nga njeriu i jetës së saj.
Dyshja të cilët janë mjaft të ndjekur në rrjetet sociale, nuk kanë hezituar që të ndajnë me ndjekësit e tyre disa fotografi nga ceremonia super luksoze e martesës së tyre.
Të pranishëm në dasmë kanë qenë vetëm ofiqari dhe disa muzikantë nga Ishujt Maldive, të cilët kanë shoqëruar me muzikë atmosferën martesore.
Buta
Reperi i njohur Buta gjithashtu në mënyrë të befasishme i dha fund beqarisë gjatë vitit 2021.
Ai dhe partnerja e tij, Fjolla Ramadani, e bënë të ditur lajmin përmes disa fotografive të publikuara në rrjetin social Instagram gjatë muajit shtator.
Me gjasë, kjo është edhe koha kur çifti privatisht i kanë dhënë betimin e përjetshëm njëri-tjetrit.
“Partnerja ime në krim”, shkroi reperi i njohur me prejardhje nge Ferizaj në mbishkrimin e fotografive.
Në imazhet martesore, çifti janë shfaqur duke pozuar si nuse dhe dhëndër nën ngjyrat bardhë e zi.
Ata vendosën të mos tregohen të hapur në lidhje me jetën e tyre private nëse kishte apo jo një ceremoni modeste, duke dashur vetëm të përmbledhin gjithë martesën ë këto fotografi të publikuara.
Shpat Kasapi
Edhe këngëtari i njohur shqiptar me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, Shpat Kasapi, u martua gjatë vitit 2021.
Ai kurorëzoi lidhjen e tij disa vjeçare me modelen e njohur nga Shqipëria, Selvije Jaon.
Më 9 qershor, çifti organizuan një ceremoni private, ku i dhanë betimin e përhershëm të dashurisë njëri-tjetrit.
Lajmi u bë i ditur nga vet interpretuesi i hitit “Axhamiu” përmes një fotografie të publikuar në Instagram në datën e kurorëzimit.
“Selvije Kasapi nga tani”, kishte shkruar ai në mbishkrimin e fotografisë, ku ia kishte bashkangjitur edhe datën 9 qershor 2021.
Ndërkohë, çifti gjithashtu kanë lajmëruar se së shpejti do të bëhen edhe prindër për herë të parë.
Rezarta Shkurta
Megjithëse kanë vite bashkë dhe kanë krijuar edhe familje, këngëtarja Rezarta Shkurta dhe nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha, u martuan tek në vitin 2021.
Ky lajm u dha nga vet këngëtarja dhe fotografja e njohur përmes disa fotografive të publikuara në rrjetin social Instagram.
Duke qenë se Rezarta edhe është themeluese e një biznesi fotografish, nuk kishte se si të mungonte një fotosesion magjik i dasmës së tyre.
Çifti të veshur si nuse e dhëndër pozuan me njëri-tjetrin buzë detit, gjersa ishte e paqartë nëse organizuan dasmë.
Megjithatë, interpretuesja e hitit “DJ” ndau me ndjekësit e saj në rrjetet sociale edhe unazën e diamantit që kishte pranuar si dhuratë nga burri i saj.
Rezarta dhe Ermali përndryshe janë prindër të një vajze të quajtur Hera.
Edita Sopjani
Këngëtarja e njohur shqiptare, Edita Sopjani, ishte një nga figurat publike që gjithashtu u martua gjatë 2021-s.
Ajo është martuar me partnerij e saj, Përparim Olluri, në një ceremoni me shumë të ftuar.
Këngëtarja me prejardhje nga Fushë-Kosova i mbajtur të azhurnuar fansat me dasmën e saj, përmes disa fotografive të publikuara në rrjetet sociale.
Fillimisht, ajo organizoi një natë beqarie me vajza, gjersa të nesërmen sipas traditave dhe zakoneve u mor nuse nga krushqit e saj.
Pas martesës, Edita është larguar në Gjermani, ku edhe jeton aktualisht me burrin e saj.
Për t’u larguar ajo hoqi dorë nga profesioni i saj si prezantuese në RTK, gjersa këngën aktualisht të fundit e publikoi vetëm pak muaj para martesës.
Arta Nikaj
Aktorja shqiptare me prejardhje nga Tuzi, Arta Nikaj, ka kohë që nuk është aktive në aktrim.
Ajo u bë e njohur falë rolit të saj në hit-serialin “O Sa Mirë”, por nuk është parë në ndonjë projekt tjetër që atëherë.
Nikaj jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe ka gjetur dashurinë e saj të jetës.
Në janar të vitit 2021, ajo i dha fund beqarisë duke u martuar me amerikanin Summy Pulao.
Lajm ishte bërë i ditur nga kolegia e saj, Ema Uka (gjithashtu aktore e njohur nga “O Sa Mirë”), e cila kishte publikuar një fotografi të saj me fustanin e bardhë të nusërisë.
Rudina Dembacaj
Mbetemi te aktorët.
Edhe aktorja e njohur nga Shqipëria, Rudina Dembacaj, u martua gjatë vitit 2021.
Ajo i dha fund beqarisë për herë të dytë, duke u martuar me ish-deputetin Mark Frroku, pas dështimit të martesës së saj të parë nga e cila ka edhe një vajzë.
Ata u martuan më datë 1 tetor në një ceremoni me shumë të ftuar VIP, të organizuar në një resort luksoz në Tiranë.
Disa prej emrave më të njohur që ishin pjesëmarrës në dasmë ishin: Aurela Gaçe, Rozana Radi, Meridian Ramcaj, Orinda Huta, Turjan Hysko dhe Visjan Ukcenaj.
Greta Koçi
E fundit që përmbyll sagën e martesave të figurave publike gjatë vitit që lam pas është këngëtarja Greta Koçi.
Greta e cila njihet për një numër të madh hitesh në tregun muzikor shqiptar, u martua në fshehtësi.
Lajmin e bëri të ditur vet ajo përmes një interviste në emisionin e pasdites në ABC News, ku tregoi se pas martesës është shpërngulur në Vjenë.
“Kanë shkruar mediat, unë e kam parë por asnjëherë nuk kam dashur të reagoj. Po e them vetëm tek ty. Është zyrtare që unë po jetoj në Vjenë, por e kam zyrtarizuar dhe çështjen e zemrës. Unë jam martuar tashmë dhe jetoj së bashku me bashkëshortin tim në Austri”, ka thënë Greta.
E pyetur për ceremoninë, ajo nuk ka dashur të komentojë, duke thënë vetëm thjeshtë se janë kryer të gjitha ritet dhe zakonet sa i përket ceremonisë martesore. /Telegrafi/