Zyra e Rregullatorit për Energji pritet t’ia japë sot lejen për operim në veri të vendit kompanisë së shtetit serb, “Drustvo Elektrosever D.O.O”, raporton Gazeta Express.
Sot në orën 13:00, do të mblidhet Zyra e Rregullatorit për Energji. Një prej pikave të rendit të ditës së saj mbledhje është edhe shqyrtimi i kërkesës/aplikacionit për dhënie të licencës për furnizim me energji elektrike kompanisë serbe.
“Shqyrtimi i kërkesës/aplikacionit për dhënie të licencës për Furnizim me Energji Elektrike për “Drustvo Elektrosever” D.O.O”, thuhet në komunikatën e ZRRE’së.
Kosova u pajtua paraprakisht që t’i japë kompanisë së shtetit serb, “Elektrosever” leje për të operuar në veri të vendit. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviq e nënshkruan të martën dokumentin e implementimit të marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015 për energjinë, kur në krye të shtetit ishin Hashim Thaçi e Isa Mustafa.
Sipas udhërrëfyesit për të cilin Kosova dhe Serbia u dakorduan në Bruksel, kjo kompani parashihet ta nënshkruajë një marrëveshje tregtare me KEDS-in, përmes së cilës do t’i mundësohet t’i kryejë shërbimet e distribuimit (faturimin, inkasimin, mirëmbajtjen dhe kyçjen e konsumatorëve të rinj) në katër komunat me shumicë serbe në veri. Kjo, parashihet të ndodhë 10 ditë pas licencimit.
“Drustvo Elektrosever D.O.O.” është përgatitur për këtë që nga dhjetori i vitit 2020. Atëherë, kjo kompani kishte aplikuar për leje në ZRRE.