Bashkimi Evropian tha se udhërrëfyesi i zbatimit të marrëveshjes së energjisë pritet të diskutohet në takimin e radhës të kryenegociatorëve në Bruksel.
Marrëveshja u arrit në tetor të vitit të kaluar, pas ndërhyrjes së BE-së meqë Kosova kërcënoi me tërheqje të licencës për operatorin serb Elektrosever për shkak të mospërmbushjes së kritereve të parapara me Udhërrëfyes. Por ajo ende nuk ka filluar të zbatohet.
“Palët kanë përmbushur vetëm pjesërisht detyrimet e tyre në lidhje me Udhërrëfyesin e Zbatimit të Marrëveshjeve të Energjisë. Mbetet për të bërë më shumë dhe kjo do të diskutohet gjatë takimit të ardhshëm të Kryenegociatorëve”, i tha RTV21, të hënën, zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
Dy kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, pritet të takohen të sot për të diskutuar mënyrën e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit, përfshirë edhe krijimin e një Komisioni të Përbashkët.
“Udhërrëfyesi i Zbatimit të Marrëveshjeve të Energjisë nuk ishte një temë në negociatat që çuan në marrëveshjet e fundit në Bruksel dhe Ohër. Megjithatë, ajo është pjesë e Marrëveshjeve të Dialogut të kaluar dhe rrjedhimisht e detyrueshme. Me Marrëveshjen e re, palët u zotuan të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e kaluara të Dialogut”, tha Stano
“Elektrosever”, pronë e kompanisë energjetike të Serbisë mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor të vitit të kaluar. Marrëveshja për energjinë ndërmjet Koosvës dhe Serbisë u arrit që më 2013, por ajo nuk u zbatua asnjëherë.