Policia e Shtetit ka bërë të ditur se është arrestuar 39-vjeçari, Marinel Demiri, nga Pojani i Korçës.
Në një njoftim të lëshuar për media thuhet se i njëjti është kapur në Greqi dhe është ekstraduar në Shqipëri, pasi është i dënuar për plagosje të rëndë me dashje.
“Në vijim të bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit me zyrat homologe, për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Greqi shtetasi shqiptar Marinel Demiri, 39 vjeç, banues në Pojan, Korçë”.
“39-vjeçari u arrestua nga autoritetet policore greke me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale ‘Plagosja e rëndë me dashje’. (I kanë ngelur për të vuajtur dhe 4 vjet, 5 muaj e 18 ditë)”, thuhet në njoftim.
Pos kësaj, Policia e Shtetit shton se nga hetimet e deritanishme rezulton se Demiri është përfshirë në një konflikt me sende të forta, në fshatin Pojan, Korçë, gjatë të cilit ka humbur jetën shtetasi A. Z., 75 vjeç, i cili kishte ndërhyrë për të ndihmuar djalin e tij gjatë konfliktit me të rinjtë.