Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedoni po merr pjesë në takimin ministerial të Iniciativës ShBA – Karta e Adriatikut (A5), që po zhvillohet në Tiranë, për ta përafruar Kosovën drejt anëtarësimit të plotë në këtë iniciativë.
Maqedonci në një postim në Facebook shkruan se në takim ishte i ftuar nga homologu shqiptar, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu.
”Në takimin ministerial të Iniciativës ShBA – Karta e Adriatikut (A5), që po zhvillohet në Tiranë, për ta përafruar Kosovën drejt anëtarësimit të plotë në këtë iniciativë.
I ftuar nga homologu im shqiptar, Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, z. Pirro Vengu, sot iu drejtova kolegëve nga shtetet e rajonit, për të ritheksuar para tyre gatishmërinë e plotë dhe aspiratën e fuqishme të shtetit të Kosovës për tu bërë shtet anëtarë me të drejta të plota në këtë iniciativë. Tutje në adresimin tim në këtë rast, ngrita sërish çështjen e qasjes hegjemoniste dhe shovene të Serbisë karshi Kosovës dhe refuzimin e saj për të marrë përgjegjësitë e kërkuara ndaj sulmit dhe agresionit të 24 shtatorit 2023 në Banjë, duke mos bashkëpunuar për nxjerrjen e të përfshirëve para drejtësisë.
Politikat e Serbisë, që synojnë destabilizimin e sigurisë në Kosovë, rezultat i të cilave ishte edhe sulmi terrorist i 29 nëntorit ndaj kanalit të “Ibër-Lepencit”, cënojnë sigurinë përtej Kosovës në nivel rajonal, duke shkaktuar një ambient pasigurie nga kërcënimet e tilla që minojnë paqen në rajon dhe çfarëdo përpjekje për fqinjësi të mirë në Ballkanin Perëndimor.
Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe tashmë është e gatshme për të marrë përgjegjësi të plota dhe për të dhënë kontributin e saj si anëtarë e plotë e Iniciativës ShBA – Karta e Adriatikut (A5). Nuk ka asnjë forcë sado agresive në politika dhe brutale në veprime, që mund ta ndaloj rrugën e integrimeve euro-atlantike të Kosovës.
Për mbrojtjen e sigurisë nacionale, për paqe rajonale dhe për integrime euro-atlantike”, shkroi Maqedonci në Facebook.