Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka treguar arsyen se pse sot gjatë parakalimit të Forcë së Sigurisë së Kosovës në sheshet e Prishtinës nuk pati ekspozim edhe të mjeteve të rënda të ushtrisë së vendit, raportim ky që qarkullonte ditë më parë në media.
Maqedonci ka deklaruar se ekspozimi i mjeteve të rënda në parakalime të tilla bëhet më shumë në shtetet e Lindjes, e jo të Perëndimit.
“Në formatin perëndimor nuk praktikohet parakalimi me mjete të rënda, më shumë bëhet në Rusi, Kore të Veriut dhe vendet e Lindjes’’.
“Parakalimi me personel dhe armë individuale dhe ekipore është format yni i parakalimeve”, ka thënë Maqedonci.
Megjithatë ai nuk e mohoi se ditëve në vijim potencialisht mund të ketë ekspozim të tillë të mjeteve të papara më herët.
”Prezantimin e tyre me doktrinën tonë e bëjmë statik gjatë ditëve të hapura, si dhe gjatë ushtrimeve të ndryshme”.