Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci e ka vlerësuar jetësim të objektivit nënshkrimin e marrëveshjes për funksionalizimin e Fabrikës së Municioneve me kompaninë turke të industrisë së municioneve, MKE, e që sipas tij është edhe pjesë e strategjisë së sigurisë së Kosovës, por edhe e strategjisë së mbrojtjes.
“Është një element shumë i rëndësishëm në fuqizimin e mbrojtjes në përgjithësi, veçanërisht në fuqizimin e kapaciteteve ushtarake të Republikës së Kosovës, por edhe kapaciteteve tjera, sepse me Fabrikën e Municionit, ne krijojmë një vetëqëndrueshmëri në aspektin e furnizimeve me municione, sidomos në kohën kur bota po përballet me mungesë të tyre si pasojë e luftërave të fundit, veçmas asaj në Ukrainë. Vlerësoj se është një hap tejet i rëndësishëm që ka bërë vendi ynë në këtë aspekt”, ka theksuar ministri Maqedonci në një intervistë në Lajmet Qendrore në RTK.
Ai ka thënë se qëllimi i kësaj fabrike është prodhimi i municioneve për vete.
“Objektiv primar i kësaj fabrike është që të krijojë qëndrueshmëri për institucionet tona, duke përfshirë ushtrinë, policinë dhe institucionet tjera që e përdorin armatime dhe që i përkasin standardeve të NATO-s. Pastaj në bashkëpunim edhe me partnerët tjerë do të shikojmë mundësinë që të eksportohen këto armë edhe jashtë vendit, duke pasur parasysh se ky brend do të jetë kosovar dhe këto sisteme e këto municione janë sipas standardeve të NATO-s dhe do të jenë të pranueshme për të gjitha ushtritë e vendeve të NATO-s”, ka nënvizuar Maqedonci.
Tutje ministri i Mbrojtjes ka thënë se në këtë fabrikë do të prodhohen dy lloje të municioneve.
“Do të prodhohen municione që përdorim në FSK dhe në Policinë e Kosovës, por edhe armë të tjera që përdoren nga njësitë e këmbësorisë në të gjitha ushtritë e vendeve të NATO-s. Fillimisht është menduar të prodhohen municione 5.56 milimetra, që është një municion standard për armët e këmbësorisë si dhe municioni 7.62 milimetra, që është municion që përdoret në mitrolezët e lehtë, pasi këto municione janë ato që më së shumti shpenzohen”, ka shtuar Maqedonci.