Thirrjet e përsëritura të ndërkombëtarëve që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që t’i lejohet Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë, nuk i kanë komentuar institucionet vendore. E për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në Prokurorinë Themelore në Pejë kanë treguar se hetimet janë duke vazhduar.
Institucionet e Kosovës nuk e kanë komentuar thirrjen e përsëritur të shteteve të QUINT dhe misionit ndërkombëtar, OSBE, për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i lëshuar para shtatë vitesh, e cila i jep të drejtë Manastirit të Deçanit për pronësinë e 24 hektarë tokë dhe pyll.
Për thirrjen e ndërkombëtarëve ku theksohet se moszbatimi i vendimit, pengon Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, nuk ka pasur asnjë reagim nga Qeveria e Kosovës.
As autoritetet lokale, nuk kanë pranuar të deklarohen për këtë çështje. Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë përmes telefonit se nuk është momenti për ta komentuar problematikën e pronësisë me Manastirin, pasi siç theksoi ai është kohë e ndjeshme.
Në deklaratën e ndërkombëtarëve është theksuar se vonesa e mëtejshme është vetëm një pengesë në integrimin euroatlantik
“Ne jemi të bashkuar në mbështetje të së ardhmes demokratike dhe evropiane të Kosovës. Zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike”, është thënë në deklaratën e tyre.
E opozita në Deçan, ka fajësuar komunën që sipas tyre nuk ka ofruar dëshmi për të treguar se prona nuk i takon Manastirit. Ndriçim Çetaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se zgjidhja e situatës i takon nivelit qendror.
“Kjo çështje nuk është trajtuar sa duhet nga organet e pushtetit lokal kur ka qenë koha e shkallshmërisë nëpër nivele të ndryshme të sistemit gjyqësor, besojmë që niveli lokal është dashur të merret më seriozisht me këtë çështje dhe të ofrojë më shumë argumente… kjo temë nuk është subjekt i trajtimit të partive politike, apo të nivelit lokal, por është subjekt i trajtimit të institucioneve qendrore”, ka thënë Çetaj.
Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ka kundërshtuar insistimin e ndërkombëtarëve. Kryetari i saj, Shkodran Imeraj, ka thënë se zbatimi i vendimit do të krijojë precedent për pronat e kishave të tjera serbe të ndërtuara në Kosovë.
“Duke marr për bazë se ky vendim do të shndërrohet në normë kushtetuese dhe pasi që shndërrohet në normë kushtetuese, mandej Kosova rrezikon që të zbatojë edhe kërkesat tjera ose vendimet të tjera të gjykatave nëpër Kosovë për kisha të tjera të cilat janë të ndërtuara në periudhën e viteve të 90-ta, duke nisur që nga Kisha në kampusin e Universitetit të Prishtinës mandej vazhdojmë me të gjitha kishat në Kosovë”, ka thënë ai.
E për mos zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetim gjatë vitit të shkuar kundër Komunës së Deçanit. Ky institucion ka konfirmuar se hetimet ende janë duke vazhduar.
Vendimi juridik i pa zbatuar nga institucionet vendore, sipas drejtorit në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ndërton kulturën e mos respektimit të autoriteteve gjyqësore.
“Përderisa, Kosova është në proces të integrimit evropian dhe aplikimit në institucione ndërkombëtare, një qasje e tillë do të ketë ndikim në avancimin e Kosovës në këto procese, duke përfshirë edhe rrezikun e drejtpërdrejtë që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës mekanizëm që promovon drejtat dhe liritë e njeriut, por edhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës”, ka thënë Miftaraj.
Institucionet vendore refuzojnë t’i lejojnë Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, pasi vlerësojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”, e para fabrikë e mjaltit dhe e dyta hotel.
Sipas autoriteteve lokale dhe qendrore, vendim i Gjykatës Kushtetuese bazohet në politikën diskriminuese të Qeverisë së Serbisë nga vitet ‘90.
Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje zgjati nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Manastirit.
Gjykata Kushtetuese, asokohe, hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i mëparshëm i Supremes në vitin 2012, i cili vërtetonte pronësinë e Manastirit mbi tokën e kontestuar, është gjykim i formës së prerë.
Para dy vjetësh, Gjykata Kushtetuese deklaroi se vendimi i saj nuk është duke u zbatuar. Në këtë vendim, Kushtetuesja thekson se nuk ka juridiksion të vlerësojë përgjegjësinë për mosekzekutimin e një vendimi të Gjykatës nga organet përgjegjëse, por që një vlerësim i tillë i takon Prokurorit të Shtetit, në pajtim me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Çështja e pronës në Manastirin e Deçanit ka krijuar mosmarrëveshje me autoritetet lokale në Deçan, edhe për ndërtimin e rrugës kryesore Deçan – Plavë. Punimet për ndërtimin e kësaj rruge fillimisht janë zhvilluar përmes Zonës së Mbrojtur të Manastirit dhe janë ndërprerë disa herë me kërkesë të Qeverisë së Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Ndërkaq para tre vjetësh, një Këshill i përbërë nga përfaqësues të Qeverisë, Kishës Ortodokse Serbe dhe bashkësisë ndërkombëtare, kanë miratuar një marrëveshje për ndërtimin e një rruge alternative.