Për ndarjen nga jeta të mërgimtarit Xhavit Sallteku, ka shkruar edhe kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. Xhaviti ishte njëri nga bashkatdhetarët e shumtë, të cilët me tërë qenien, bashkë me familjen, ishin vënë në shërbim të lirisë, shprehet Latifi, transmeton /Gazeta Papirus/
Smajl Latifi :
Sot i dhamë lamtumirën Xhavit Sadri Salltekut nga Malësia e Vogël.
E dhimbshme ikja e hershme e Xhavitit.
Familjet si ajo e axhës Sadri, bashkë me atë të axhës Rexhë dhe gjithë Salltekëve, ishin disa nga bazat e luftës tonë për liri në Malësi të Vogël. Padyshim, familje me vlera të larta atdhetare, që dhanë kontribut të çmuar në shërbim të lirisë. Fadili, Naseri, Bakiu, ishin vetëm disa nga luftëtarët trima të Salltekëve.
Krahas luftëtarëve të lirisë në Kosovë, kontributi i vëllezërve të tyre në mërgatë ishte shumë i madh. Edhe Xhaviti ishte njëri nga bashkatdhetarët e shumtë, të cilët me tërë qenien, bashkë me familjen, ishin vënë në shërbim të lirisë. Gjatë luftës, me Xhavitin, njëjtë si me shumë bashkatdhetarë të tjerë, shpesh komunikonim përmes telefonit satelitor. Xhaviti ishte gjithmonë gazmor dhe i hareshëm, si në kohë lufte, edhe pas saj. Ashtu ishte edhe mbrëmë.
Po, na ike shumë shpejtë dhe papritur Xhavit, por pas ke lënë shumë kujtime të paharruara për familjen dhe për shoqërinë!
Edhe mbrëmë, Xhaviti i dha shije duke e bërë edhe më të bukur e me shumë atmosferë siç dinte vetëm ai, martesën e Endrit Ukajt.
Bashkëndiej me dhimbjen që kanë për Xhavitin, familja e nderuar Sallteku, me të cilën ndajmë së bashku shumë kujtime që nga paralufta, lufta dhe deri më sot.
Familje e nderuar Sallteku, mbahuni të fortë, siç keni qëndruar gjithmonë!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty, Xhavit!
E paç të lehtë dheun mbi varr!