Politologu Agon Maliqi ka analizuar situatën e ndërlikuar pas tensioneve gjatë takimit të djeshëm mes Presidentit të ShBA-së, Donald Trump dhe Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke theksuar se kërkesa kryesore e Kievit është një forcë ndërkombëtare me mandat të pakontestueshëm, e ngjashme me KFOR-in në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Maliqi thekson se Ukraina është e gatshme t’i ofrojë Perëndimit qasje në burimet e saj natyrore në këmbim të garancive të sigurisë që do të ndalonin një tjetër ofensivë ruse.
Ai po ashtu kritikoi një pjesë të opinionit në Kosovë, duke argumentuar se ata që e shohin presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky si shembull të mbrojtjes së dinjitetit kombëtar, në rrethana të ngjashme do ta quanin një lider kosovar “tradhëtar” dhe “shkelës të sovranitetit”.
“Puna ka ngecur sepse Ukraina thjesht po e kërkon prej perëndimit një ekuivalent të KFOR-it me mandat të pakontestueshëm ndërkombëtar, që siguron se Rusia nuk ia mësyn prap. Ajo është e gatshme që për këtë t’i japë qasje perëndimit në burimet e veta natyrore. Sovranistët që po e marrin Zelenskyn si shembull për Kosovën se si “mbrohet dinjiteti”, në Kosovë ekuivalentin e Zelenskyt do ta kishin quajtur tradhëtar dhe shkelës të sovranitetit.” – tha ai.