Mali i Zi ka dënuar ashpër sulmin e sotëm ndaj Policisë së Kosovës ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe tre policë të tjerë janë lënduar.
“Ne dërgojmë ngushëllimet tona për vrasjen e policit, si dhe urimet për shërimin e të plagosurve”, ka shkruar Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi.
Shteti fqinj bëri thirrje për ulje të tensioneve, derisa ka thënë se autorët duhet të dalin para drejtësisë.
“Apelojmë për uljen e tensioneve dhe mbështesim punën EULEX-it dhe KFOR-it në terren dhe bëjmë thirrje për një hetim të plotë. Ata që janë përgjegjës për këtë akt duhet të dalin para drejtësisë”.
Për aktin terrorist nga një grup i armatosur kundër Policisë së Kosovës mëngjesin e sotëm kanë reaguar edhe shumë partnerë ndërkombëtarë, duke dënuar këtë sulm.