Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, më 23 dhjetor në mbledhjen e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit të këtij viti.
Ndaj këtij vendimi ishte ankuar Lista Serbe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), institucion ky i cili e kishte rrëzuar vendimin e KQZ-së, si dhe e kishte urdhëruar këtë të fundit ta certifikojë Listën Serbe, duke thënë se kjo parti kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.
LVV-ja u ankua në Gjykatën Supreme të Kosovës, por që e njëjta e hodhi poshtë si të palejuar ankesën e tyre.
E partia në pushtet sërish nuk po pajtohet me epilogun e këtij procesi.
Të enjten (2 janar, 2025), Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar përmes postës ankesë në PZAP kundër vendimit për certifikimin e Listës Serbe në emër të KQZ-së, me kërkesën për anulimin e këtij vendimi.
“Nxjerrja e vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe. Secili vendim i KQZ-së duhet t’i nënshtrohet votimit nga anëtarët e KQZ-së. Ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar. Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm”, u tha në reagimin e LVV-së.