Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se do të marrin pjesë në seancën e nesërme konstituive, por që nuk kanë votë as për Kuvend e as për Qeveri.
“Natyrisht që po. Ftesa për konstituim të Kuvendit është bërë me kohë sipas procedurave. Po hyjmë në fazën e implementimit të zgjedhjeve. LDK ka një qëndrim publik sa i përket krejt zhvillimeve dhe presim me padurim konstituimin e Kuvendit”, tha ai, transmeton Gazeta Papirus.
Haziri theksoi se qëndrimi i LDK-së është i pandryshueshëm.
“Nuk ka vota as për Kuvend as për Qeveri, ky është qëndrim i LDK-së. Sidoqoftë, GP i LDK-së do të mblidhet dhe do të diskutojë nesër në mëngjes për përgatitjet e fundit lidhur me rolin tonë në seancën konstituive. Deri sot, qëndrimi i LDK-së është i pandryshueshëm, atë që e ka konfirmuar kryetar i LDK-së, është i pandryshueshëm”, theksoi ai për Gazeta Blic.
Duke folur nëse pret që nesër të formohet qeveria e re nga VV, Haziri tha se ajo e ka të drejtën që ta bëjë qeverinë por që është dashur të tregojë se çfarë po ndodhë dhe a ka marrëveshje.
“Tashmë partia e parë e ka të drejtën dhe ne ia kemi njohur, ia kemi konfirmuar dhe fundja Kushtetuta e njeh sepse është verdikt qytetar. Partia e parë është dashur të jetë e gatshme dhe ta zbardhë krejt rolin e saj edhe nesër në Kuvend, edhe eventualisht marrëveshjen politike sepse pa një marrëveshje nuk ka mundësi me qenë qeveri stabile dhe efikase. I takon Vetëvendosjes që ta zbardhë se çfarë është duke ndodhur”, ka potencuar ai.
I pyetur nëse LDK do ta përkrahte një qeveri me partitë opozitare, nëse VV nuk arrin ta formojë Qeverinë, Haziri tha se ai është proces i ri dhe Kosova do të hynte në krizë politike.
“Ajo është proces i ri. Nesër është ditë e bardhë për Kosovën, shpresoj konstituimi i Kuvendit dhe organet ta marrin të drejtën e qytetarëve që ky mandat i ri të fillojë mbarë. Nëse jo, Kosova hyn në një krizë dhe një situatë të re, kështu që nesër do të shihet gjithçka tjetër”, ka deklaruar Lutfi Haziri.