Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka hapur sonte fushatën e saj elektorale në Skënderaj, ku nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku, theksoi rëndësinë e mbështetjes nga elektorati për të mundësuar ndryshime të mëdha në qeverisje.
Ai falënderoi qytetarët për besnikërinë e tyre 25-vjeçare ndaj PDK-së dhe theksoi se kjo besnikëri ka bërë që partia të mbetet e fortë.
“Qytetarë të komunës sonë, unë sot më së paku dua të flas për PDK-në, sepse kam filluar fushatën në secilin fshat dhe lagje, dhe shoh mobilizimin dhe dëshirën e madhe nga ju, jo vetëm për të dhënë votën, por për t’u angazhuar për PDK-në. PDK është boshti kryesor. Ju jeni ata që na keni mbajtur të fortë gjatë gjithë këtyre viteve,” tha Lushtaku.
Ai gjithashtu u shpreh se Kosova ka nevojë për një ndryshim të thellë në qeverisje.
“Na duhet ndihma juaj për të rrëzuar një qeveri që ka vetëm mashtrime dhe rrena, dhe që nuk ka bërë asnjë punë përveç mashtrimevel. Çdo qytetar i Kosovës tashmë e ka kuptuar këtë. Na duhet përkrahja juaj për të larguar këtë qeveri dhe për të sjellë një qeveri që do të organizohet nga Bedri Hamza dhe PDK, që të kthehet aty ku e ka lënë qeverisjen,” shtoi Lushtaku.