Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka pohuar se Qeveria në detyrë e LVV-së duhet të japë dorëheqje, për të bërë betimin e pjesëtarëve të saj si deputet të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Në emisionin DPT Fidani, ajo ka theksuar se mendimi apo qasja e Lëvizjes Vetëvendosje është e gabuar, dhe se këtë gabim nuk e bëjnë as studentët e vitit të parë në programin e shkencave politike, transmeton Gazeta Papirus.
“Dorëheqje dhe mosushtrim të funksionit të ekzekutivit. Nëse dëshirojnë ta bëjnë betimin ata duhet të vijnë me dorëheqje me shkrim, dhe të heqim dorë nga ushtrimi i ekzekutivit. Ka një parim bazik në një shtet demokratike, ndarja e pushteteve, legjislacioni, ekzekutivi dhe gjyqësori janë tri shtyllat bazike të një shteti demokratik”.
“Nuk mundesh me pasë një mandat e një funksion që ta luash rolin e legjislativit dhe njëkohësisht me qenë në ekzekutiv, kjo konflikt, kjo e prish logjikën e çdo njeriu që i di elementet bazike të demokracisë. Unë për vete ligjëroj se këtë gabim nuk e bëjnë as studentët e vitit të parë në shkenca politike, nuk mundesh me qenë ekzekutiv në kohën kur je në legjislativ”, ka thënë Lushaku-Sadriu.