Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka përkujtuar veprimtarin, Fehmi Agani në 26-vjetorin e vrasjes së tij.
Ai thotë se Agani ishte një ndër figurat themelore të gjeneratës së artë të intelektualëve shqiptarë në fund të shekullit XX.
Tutje, Abdixhiku thotë se trashëgimia që ai la pas është udhërrëfyes i përhershëm në rrugëtimin tonë për ndërtimin e një Kosove me një të ardhme më të mirë, të drejtë dhe të denjë për sakrificat e bijve më të mirë të saj.
“Më 6 maj të vitit 1999, Kosova humbi njërin nga veprimtarët e mëdhenjë – Prof. Fehmi Aganin, intelektualin e urtë, politologun vizionar, sociologun dhe atdhetarin e paepur. Vrasja e tij nga forcat serbe ishte një plagë e rëndë për idealin e Kosovës për liri e pavarësi, e një atentat ndaj mendjes, urtësisë dhe një prej shtyllave ideologjike të lëvizjes sonë kombëtare.
Prof. Agani ishte një ndër figurat themelore të gjeneratës së artë të intelektualëve shqiptarë në fund të shekullit XX. Si pedagog i dalluar i Universitetit të Prishtinës, ai edukoi dhe formoi me përkushtim breza të tërë studentësh që më vonë u bënë prijës të lëvizjes për liri dhe pavarësi. Si fjalëpak e mendimthellë, ai përçoi përmes ligjëratave të tij ndjenjën e krenarisë dhe rezistencës, duke mbjellë vetëdijen e lirisë në mendjet e rinisë shqiptare.
Ai po ashtu ishte ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit historik Ibrahim Rugova dhe nënkryetar i LDK-së ndërsa mbetet një prej figurave kryesore në hartimin e strategjisë paqësore të rezistencës kosovare, duke u bërë zëri i arsyes dhe urtësisë në ditët më të errëta për vendin. Vrasja e tij, ishte përpjekje për të goditur boshtin politik dhe intelektual të Kosovës.
Sot, në 26 vjetorin e vrasjes së tij, e kujtojmë me pietet figurën e tij madhore dhe veprën e tij. Trashëgimia që ai la pas është udhërrëfyes i përhershëm në rrugëtimin tonë për ndërtimin e një Kosove me një të ardhme më të mirë, të drejtë dhe të denjë për sakrificat e bijve më të mirë të saj. Lavdi jetës dhe veprës së Prof. Fehmi Aganit!”, ka thënë Abdixhiku.