Lufta për rajonin lindor të Donbasit vijon e ashpër, me Ukrainën që thotë se forcat e saj janë në pozicion shumë të vështirë mbrojtës. Disa sulme kanë ndodhur në qytetin e Severodonetskut, i cili e gjen veten gjithmonë e më të rrethuar.
Lideri çeçen, Ramazan Kadyrov, i cili i është bashkuar prej fillimit ofensivës ruse në shtetin fqinj, pretendon se kanë marrë kontrollin e qytetit, por Kievi pretendon se luftimet atje vazhdojnë.
Presidenti Volodymyr Zelensky e pranoi se situata në frontin e luftës në Donbas dhe pjesë të rajonit të Harkivit, është tejet e vështirë për ushtrinë ukrainase.
“Situata është shumë e ndërlikuar. Veçanërisht në ato zona të rajoneve të Donbasit dhe Harkivit ku ushtria ruse ka përqendruar forcat, si Severodonetsk, Bakhmut dhe Popasna. Po forcat tona po rezistojnë, edhe pse atje është shumë e vështirë”.