Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot pas dhjetë vjetësh i “gëlltiti” të gjitha deklaratat, protestat dhe mundin e bërë kundër krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilit ai dhe partia e tij i referohen me termin serb “Zajednicë”.
Albin Kurti sot kur para të zgjedhurve të popullit dha sinjalin e parë haptas se do ta krijojë këtë entitet, harroi edhe Astrit Deharin, i cili për veprimet politike kundër “Zajednicës” përfundoi si i burgosur.
Albin Kurti sot kur pranoi krijimin e “Zajednicës” harroi edhe ditët e burgut edhe fjalët e mëdha se nuk ka rrugë të mesme “O Republikë, o Zajednicë!”.
Nuk mund të rrinë në Kosovë edhe Republika jonë edhe ‘Zajednica’ e Serbisë. Prandaj do të bijnë ose Qeveria ose ‘Zajednica’ ose të dyja këto. Mustafa e Thaçi po i konsiderojnë pazaret e tyre me Serbinë e Malin e Zi sikur të ishin libra të shenjtë. Qeveria e Kosovës nuk po e mbron shtetin e Kosovës nga Serbia, por po e demonstron pushtetin e saj mbi opozitën. Këso nënshtrimi ndaj Serbisë moti s’ka pasur kush në Kosovë. ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë mund ta mbrosh ose nga gjendja e mazokistit ose nga pozita e serbofilit ose nga rrethana e të shantazhuarit.”, tha Kurti, të cilin sot duhet pyetur se nga çfarë pozite po paralajmëron themelimin e saj.
2 shkurti do të mbahet mend si dita kur ai i ra shkelm çdo gjëje që kishte ndërtuar në dhjetë vjetët e fundit, shkruan Demokracia.com.
Mbase për tu hedhur “hi syve” votuesve të tij që e sollën në karrigen e ngrohtë të pushtetit, Albin Kurti tha se për krijimin e mekanizmit që e kundërshtoi më së shumti, ka gjashtë kushte.
Sipas tij, Asociacioni i Komunave i dalë në parim nga marrëveshja e vitit 2013, si një mekanizëm i tillë, mund të konsiderohet nga Republika e Kosovës me këto kushte:
1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).
3. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimit Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.
Rebeli i dikurshëm i opozitës, sot u bë një qengj. Ai sot e njohu edhe ‘presionin’ ndërkombëtar për të cilin thoshte se ishte kureshtar ta njihte.
Ky sinjal i Kurtit për themelimin e “Zajednicës” vjen veç pak ditë pasi ai e mori një letër nga këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Cholet dhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të cilët kanë thënë se është koha për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Chollet dhe Escobar në letër garantuan se Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë serbe, i cili do të bashkërendiste çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban e rural dhe zhvillimi ekonomik.
Ata thanë se e kundërshtojnë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje.
Sipas tyre, Asociacioni nuk do t’ia shtonte Qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.
Albin Kurti sot e “lëshoi bajrakun”, ose për garancën amerikane se Asociacioni do të jetë sipas Kushtetutës, siç e kanë thënë gjithmonë, ose për paralajmërimin se nëse ai nuk e bën, mund ta bëjë dikush tjetër.