Zakonisht kasollet në fshat, ndërtohen me qëllim që banorët e tyre të gjejnë qetësi atje larg zhurmës urbane. Por një burri në Podujevë i doli e kundërta. Dikush gjuajti me armë drejt kasolles së tij verore, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur më të martën e 1 qershorit në fshatin Metergoc, kur 44-vjeçari kishte vërejtur se kasollja e tij është dëmtuar dhe dyshimet e para ishin se dëmet vinin nga gjuajtje me armë zjarri.
Ai njoftoi menjëherë Policinë, të cilët pasi dolën në vendin e ngjarjes kryen të gjitha ekzaminimet e nevojshme lidhur me rastin.
Sinjali mëson se dëme kishin pësuar dera hyrjes së kasolles dhe xhami i dritares, të cilat dyshohet se janë qëlluar me armë të gjuetisë.
Deri më tani nuk dihet motivi që shtyu drejt kësaj ngjarjeje, e as nuk ka persona të dyshuar lidhur me rastin.
Me vendim të prokurorit, është iniciuar rasti ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.