Kupa e Kosovës në futboll do të mbetet në qytetin e Podujevës, me Llapin që ka triumfuar për herën e dytë radhazi në këtë garë.
Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina në finale sonte mposhti Dritën.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” përfundoi me rezultatin 1:2.
Llapjanët kaluan të parët në epërsi pas një goli të bukur të shënuar nga Francesco Rivera në minutën e gjashtë.
27-vjeçari nga Meksika shënoi nga gjuajtja e lirë.
Gjilanasit barazuan pas gjysmë ore, kur Hamdi Namani shënoi me kokë në minutën e 36-të.
Namani shënoi pas një harkimi të bukur nga Muharrem Jashari.
Baras u mbyll pjesa e parë, teksa skuadra nga Podujeva e riktheu epërsinë me të filluar pjesa e dytë.
Arbnor Ramadani shënoi në minutën e 48-të me një goditje të fuqishme nga distanca, e cila u devijua dhe përfundoi në rrjetë.
Deri në fund u regjistruan edhe disa raste tjera, por jo të konkretizuara me gol. /Gazeta Express/