Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vizituar ish presidentin Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin në Hagë.
Lladrovci ka thënë se ndjente një mall të fuqishëm sa edhe fryma i zihej.
“Gjatë kohës sa qëndrova me Hashimin, pata rastin t’i them se shpirti po na digjet për ta, ndjenjat po na vlojnë, por, kemi besim se gjithçka do të jetë në rregull dhe drejtësia do të triumfojë”, ka shkruar Lladrovci.
Postimi i Lladrovcit:
Njohja ime me ish presidentin, kryeministrin, Drejtorin e Drejtorisë politike të UÇK-së, është shumë e hershme. Aq e hershme sa në fillim të takimit, nuk e dija as nga t’ia filloja. Mall i fuqishëm sa fryma më zihej dhe tërë një jetë më doli përpara.
Më dolën përpara shokët që më nuk i kemi, shokët që e bënë historinë. Pastaj, u ktheva në realitet, kjo barrë e pashembullt që i është ngarkuar heronjve tanë të luftës dhe paqes është edhe një betejë që do ta bëjnë për Kosovën, edhe një betejë për kombin.
Gjatë kohës sa qëndrova me Hashimin, pata rastin t’i them se shpirti po na digjet për ta, ndjenjat po na vlojnë, por, kemi besim se gjithçka do të jetë në rregull dhe drejtësia do të triumfojë.
Shoku im Hashimi, ishte sikur i ditëve të para të njohjes tonë, plotë energji, besim në veten dhe kauzën që përfaqëson, kauzën e drejtë të cilën ia ngarkoi historia – mbrojtjen e popullit të tij dhe shtetit që u krijua nga sakrifica mbinjerëzore e atdhetarëve dhe bota demokratike, në krye me NATO-n.
Edhe një herë ia hoqi retë e zeza Kosovës!
Ta kesh shok e mik Kadri Veselin, është bekim. Takimi ishte i vështirë, sepse, me jetën e tij dhe atdhetarizmin e kulluar, nuk e ka merituar as një minutë të jetë i penguar për ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës.
Si çdo herë, Kadriu flet me zemër, me plotë besim në rrjedhën e ngjarjeve të mira për Kosovën dhe popullin e saj, sepse, ne ishim në anën e duhur të historisë, ishim të brumosur me ndjenjat më humane përballë okupimit që domosdo duhej ndërprerë, me çdo çmim.
Takimi tre orësh, kaluan si tre minuta. Ishte e pabesueshme se sa lehtë Kadriu e interpreton të tashmen dhe të ardhmen tonë euro-atlantike, vlerat e shtetit tonë, të njerëzve tonë, durimin e tij dhe heroizmin e paparë që e cilëson çdo popull fisnik – sakrificën.
Ndarja ishte e rëndë, plumb, megjithatë, liria e shpirtit të tij është e pacenueshme, e ngjashme sikur e të gjithë atdhetarëve tanë, të cilët ishin në gjendje të japin gjithçka për lirinë e Kosovës.