Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka folur për projektin e stadiumit nacional në Korroticë.
Në Klan Kosova, ai ka akuzuar për zvarritje të punës Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por ka shtuar se këtë projekt ai do ta realizojë deri në fund.
“Stadiumi nacional në Korroticë është një pozitë strategjike, e cila, le të dalë çfarëdo komisioni të bëjë vlerësim, nëse e gjen një vend më të mirë dhe më të përshtatshëm se aty, unë tërhiqem”.
“Bernica është një zorrë qorre, e kam thënë. Vendimin për ta ndërtuar stadiumin për herë të parë e ka marrë zoti Hashim Thaçi, si kryeministër i Kosovës, por tash marrëveshja e dytë, pra kur është shfuqizuar ai vendim, është bërë vendimi tjetër nga zoti Ramush Haradinaj në mbështetje edhe të Kadri Veselit dhe PDK-së në qeverinë e tij, është gjetur ai vend, tash përse është territor i Drenasit e kufizohet me Fushë Kosovën dhe është afër aeroportit pesë minuta dhe afër qendrës së Prishtinës vetëm 15 minuta, pse është në Drenicë, pra në Drenas, nuk është mirë me provua me bo filma”, tha Lladrovci.
“Nëse nuk kanë inati kundër meje për fjalët që i kam folur, nuk ka asgjë tjetër, i bie atëherë që nëse nuk janë kundër meje, janë kundër Drenicës”.
“Kur kam thënë që ‘nuk ka birë nane’ që e lëviz stadiumin, nuk kam thënë që kam me dalë me stupc me rreh dikon, ja me mbytë dikon se përse po e zhvendos, por kam thënë se ligjërisht nuk mund ta bëjë, sepse janë bërë investime tani, është bërë shpronësimi, janë ndarë parcelat, janë ndarë 26 hektarë, janë ndarë edhe 25 milionë dollarë, që ka dikush që guxon t’i gjuaj në ujë dhe ta zhvendosë diku tjetër të blejë tokë të re, diku tjetër qindra milionë me filluar nga e para le ta provojë”, tha Lladrovci.