70 produkte të reja janë shtuar në Listën e Barnave Esenciale, tanimë e reviduar dhe që pret firmën e ministrit Arben Vitia për të hyrë më pas në fuqi.
Rrjedhimisht për kryesuesin e grupit punues, Driton Vela, buxheti prej 60 milionë dedikuar Listës Esenciale ka ndikuar në shtimin e ilaçeve që jepen falas për pacientët në ambulanta dhe spitale.
Ndonëse nuk kanë arritur t’i akomodojnë të gjitha kërkesat, por janë vendosur prioritete.
“Janë rreth 70 produkte të reja për sëmundje të ndryshime të cilat janë pothuajse për çdo organ”, tregon Driton Vela, kryesues i grupit punues të Listës Esenciale.
Për herë të parë në këtë listë janë futur edhe barnat për sëmundjet e rralla, gjë për të cilat ka pasur mungesa shpesh në të kaluarën.
Vela tregon se për dallim nga lista e kaluar e 2019-ës, në këtë aktualen janë qartësuara indikacionet për aplikimin e terapive të shtrenjta onkologjike, terapi këto që do të caktohen në bashkëpunim me konzoliumet profesionale bazuar në evidencat shkencore.
Kryesues i grupit punues të Listës Esneciale shpjegoi se pos këtyre ndryshimeve, kanë evituar edhe gabimet teknike të listës kanë rritur mundësinë e konkurrencës për ofertuesit.