Gjykata e Lartë në Beograd hodhi poshtë propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd që Millan Radojçiqit t’i shqiptohet masa e paraburgimit. Ai sipas prokurorisë dyshohet se ka kryer krime me disa persona të panjohur, duke përdorur armë dhe lëndë shpërthyese dhe vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.
Gjykata i shqiptoi Radojçiqit ndalimin e largimit nga vendbanimi, me të cilin atij i pamundësohet të largohet nga territori i Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe i ndalohet të shkojë në territorin e Kosovës.
Atij i është urdhëruar të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji dhe i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit, gjegjësisht pasaporta serbe dhe është paralajmëruar se mund të ndalohet nëse shkel masat ndaj tij.
I dyshuari dje gjatë seancës në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd ka mohuar kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohet.
Pas seancës, prokuroria i propozoi gjyqtarit për procedurë paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd të caktohet masa e paraburgimit për të dyshuarin për shkak të rrezikut të arratisjes. Por, një gjë e tillë u refuzua nga Gjykata e Lartë në Beograd.
Në urdhrin për kryerjen e hetimeve janë përfshirë disa persona, tani për tani, të panjohur, të cilët akuzohen për veprën penale të veprave të rënda kundër Sigurisë së Përgjithshme.
Sipas urdhrit për hetimin, Radoiçiq akuzohet për blerjen e armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga qyteti i Tuzlë në Bosnjë e Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator.
Më 24 shtator në sulmin e organizuar nga Millan Radojçiqi mbeti i vrarë një polici i Kosovës dhe u lënduan disa të tjerë.