Prokuroria Speciale e Kosovës i ka pushuar hetimet ndaj tre malazezëve të arrestuar në fund të vitit të kaluar nën dyshimin për “nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit”, konfirmoi të premten për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.
Kozmaqi tha se “nga provat e siguruara nuk është vërtetuar se të pandehurit R.K. M.J. dhe D.L. e kanë kryer veprën penale, për të cilën është zhvilluar hetimi nga Prokuroria Speciale”.
Policia e Kosovës i arrestoi më Rajko Krivokapiq, 34 vjeç, Marinko Jovanoviq, 24 vjeç, dhe Dragutin Llallatoviq, 24 vjeç, për shkak se targat e automjetit me të cilin kishin shkuar në manastirin e Deçanit më 24 nëntor 2024, mbanin mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
Mbishkrimet që e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë, autoritetet kosovare i trajtojnë si provokim dhe nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar.
Kryetari i komunës së Nikshiqit, Marko Kovaçeviq, i cili është funksionar i partisë Demokracia e Re Serbe (Nova Srpska Demokratija – NSD), pjesë e Frontit Demokratik prorus që së fundmi është shpërbërë, ka reaguar duke dënuar veprimet e institucioneve të Kosovës dhe duke u bërë thirrje të arrestuarve që “t’i përballojnë vështirësitë në të cilat janë gjendur”.
Në profilin e tij në Facebook, ai deklaroi se Ambasada e Malit të Zi në Kosovë nuk ka reaguar për të mbrojtur tre qytetarët nga Nikshiqi, edhe pse është kontaktuar nga persona të afërt me të arrestuarit.
Partia e tij, e drejtuar nga Andrija Mandiq, kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të Malit të Zi dhe bashkësisë ndërkombëtare që të reagojnë.
“Ky incident është vetëm një nga rastet e shumta të terrorit ndaj popullit serb në Kosovë, i cili tashmë është shtrirë edhe ndaj qytetarëve të Malit të Zi”, thuhet në deklaratën e NSD-së.
Edhe Kisha Ortodokse Serbe (KOS) në Mal të Zi ka reaguar, duke nisur “një protestë të ashpër ndaj krahinës jugore serbe” për arrestimin e besimtarëve, si dhe një protestë ndaj autoriteteve malazeze.
“Ky incident kërkon dënimin më të ashpër për mungesën poshtëruese të reagimit të shtetit të Malit të Zi, Ministrisë së saj të Punëve të Jashtme dhe Qeverisë së saj, të cilat nuk i dolën në mbrojtje qytetarëve të vet”, thuhet nga KOS në Mal të Zi.
Institucionet shtetërore nuk janë prononcuar lidhur me arrestimin e tre të rinjve nga Mali i Zi.
Partitë politike proserbe në Mal të Zi, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por e konsiderojnë si territor të Serbisë.
Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila u rrëzua nga pushteti në gusht të vitit 2020./REL/