Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me situatën e tensionuar që po mbretëron në veri të vendit, tash e disa ditë.
Limaj tha se Kurti urgjentisht duhet t’i lejë veprimet aventureske dhe të bashkëpunojë me faktorin ndërkombëtarë.
“Kryeminsitri Kurti duhet t’i lejë veprimet aventureske, duhet të jetë i kujdeshsëm dhe duhet të bashkepunojë me partnerët ndërkombëtarë. Sa më shpejt ta gjejë rrugën e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për të dalë nga kjo situatë dhe sa më shpejt pjesa veriore e Kosovës mos të mbahet si çështje sigurie por të kthehet në normalitet. E vetmja rrugë është pjekuria politike, sjella e matur dhe në koordinim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Të heqë dorë nga veprimet e njëanshme, të pamatura, të pakoordinuara, të pastudiuera e me njerëz të paditur, vetëm kështu ne mund të përballemi me Vuçiqin dhe politikat e tij shoviniste”, tha Limaj
Kryetari i Nisma-s tha se ngjarjet në veri po i shfrytëzon Vuçiqi dhe kjo situatë i ka ardhur si “qershia mbi tortë”, duke e ditur se i njëjtit ndodhet në situatën më të vështirë prej se ka ardhë në krye të shtetit serb.
“Më vjen keq që këto veprime që kanë ndodh atje po i shfrytëzon Vuçiqi në kohën kur ai është në situatën më të vështirë dhe më të keqe të mundshme prej që është në krye të shtetit serb duke e ditur se nga ana e Serbisë është duke u rritur pakënaqësia në drejtim të Vuçiqit dhe situata në pjesën veriore të Kosovës i ka ardhur si “qershia mbi tortë” për ta shfrytëzuar dhe manipuluar komunitetin serb në emër të kartave të nacionalizmit e për t’i ikur problemeve të tij katastrofale të brendshme që i ka”, tha Limaj për “Gazeta Blic
”Limaj shtoi se tashmë po realizohet ëndrra e Vuçiqit që ajo pjesë e territorit të qeveriset sipas Rezolutës 1244.
“Urgjent edhe shpejt duhet koordinim i ngushtë me faktorin ndërkombëtar, urgjent dhe shpejt që të mos lejohet të bëhet dëm më i madh, megjithëse është një dëm i jashtëzakonshëm që është bërë. Sot faktkeqësisht po realizohet ëndrra e Vuçiqi që ajo pjesë e territorit të Kosovës të qeveriset sipas Rezolutës 1244 e jo sipas Kushtetutës së Kosovës dhe kjo është skandaloze për shtetin e Kosovës” tha Limaj