Për herën e dytë radhazi, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet, duke thelluar kështu krizën politike pas zgjedhjeve të parakohshme të 9 shkurtit. Pavarësisht përpjekjeve për arritjen e një konsensusi politik, deputetët nuk arritën ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, pas një raundi konsultimesh me përfaqësuesit e subjekteve politike përtej kompetencave të tij, u ngut që ta ndërpres seancën duke thënë se nuk ka dakordim për hapat e mëtejmë. Ai bëri të ditur se seanca do të vazhdojë më 19 prill, duke lënë pezull këtë proces, transmeton Gazeta Papirus.
Sipas burimeve të Demokracia.com, Fatmir Limaj, i propozuar si Kryetar i Kuvendit është duke u kundërshtuar nga ambasadat e shteteve mike në Kosovë. Dhe, sipas të njëjtit burim, ai nuk e ka as mbështetjen e deputetëve të komuniteteve pakicë, të cilët nuk janë të gatshëm ta votojnë për këtë pozitë.
Në përpjekje për të siguruar shumicën e re, Albin Kurti ka dashur ta zëvendësojë Limajn me Donika Gërvallën. Por, Demokracia.com ka mësuar se edhe zgjidhja e saj si kryeparlamentare ka hasur në kundërshtime të mëdha nga vetë deputetë të Vetëvendosjes, të cilëat ia kanë bërë të ditur Kurtit që nuk kanë votë për ta bërë Gërvallën kryeparlamentare.
Ndërkohë, komunitetet pakicë nuk kanë ende një marrëveshje të konkretizuar me Kurtin për formimin e Qeverisë. Por, Demokracia.com ka mësuar se ato kanë shprehur gatshmëri që të votojnë vetëm për konstituimin e Kuvendit, duke i lënë negociatat për ekzekutivin për më vonë.
Duke qenë i vetëdijshëm për mungesën e votave, Kurti sipas burimeve të afërta me procesin po provon të bëhet kreativ në zvarritjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës për të shmangur një dështim formal dhe për të fituar kohë shtesë në funksion të arritjes së një marrëveshjeje politike. Megjithëse sot kishte një shumicë të thjeshtë të mjaftueshme për të votuar raportin e seancës, seanca është ndërprerë qëllimisht nga deputeti më i vjetër Avni Dehari, i cili ka rastisur të jetë nga radhët e Vetëvendosjes.
Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK kanë akuzuar Vetëvendosjen se po i shfrytëzon shtyrjet për të blerë kohë dhe për të bërë pazare politike. Sipas tyre, Albin Kurti nuk i ka votat e nevojshme për të zgjedhur as Kryetarin e Kuvendit dhe as për ta formuar Qeverinë.
Një tjetër pikë përplasjeje është statusi i anëtarëve të qeverisë në dorëheqje, të cilët janë betuar si deputetë. Opozita këmbëngul se ata nuk mund të ushtrojnë më funksionin në ekzekutiv, ndërsa Kurti e ka cilësuar këtë si kërkesë të pakuptimtë, duke thënë se Qeveria e tij ka dhënë dorëheqje më 23 mars dhe funksionon vetëm në kapacitet teknik.
Megjithëkëtë, as shtyrja për më 19 prill nuk ofron garanci për zgjidhje. Me mospajtime të thella brenda kampit të shumicës dhe presion nga opozita, si dhe nga faktori ndërkombëtar, zgjidhja e krizës mbetet e paqartë.